
Askush nuk kishte dyshime në aftësitë e këtij njeriu, nëse bëhej fjalë për Kristal Abazajn, atëherë vlerësimet gjithmonë do të ishin nga ato më të lartat.
Futbollisti që shkëlqeu me Luftëtarin në Superiore, do të realizonte gola të cilat në Shqipëri pak herë i sheh e ndonjëherë mendon se nuk ekzistojnë, megjithatë, Abazaj i bënte të mundur. Një “Kristal” i madh që edhe Panuçi nuk dëshironte ta humbiste, duke e marrë te Shqipëria.
Megjithatë momenti që po kalon futbollisti shqiptar, nuk është më i miri me të cilin ai është hasur në vitet e fundit. Debutimi me ekipin e parë të Anderlehtit ka vonuar aq shumë, saqë tashmë është kthyer në një enigmë të madhe. Çfarë po ndodh me këtë talent? Pyetje të mëdha nga ngrihen nga mediat shqiptare dhe belge, të cilat herë pas here aludojnë edhe për përplasjet e shqiptarit me drejtuesit e klubit belg.
Por sipas burimeve të “Shqipëria.ch” pranë lojtarit, aktivizmi i Abazajt do të varet nga dora e tij. Për shkak të problemeve fizike që ka pasur në kohët e fundit, lojtari i Kombëtares nuk ka mundur të jap më të mirën e tij në stërvitje, duke pasur diçka më pak se lojtarët e tjerë gjatë seancave stërvitore. Në momentin që ai do të rikthehet i fortë fizikisht dhe do të arrijë formën optimale, atëherë Anderlehti do e marrë për t’i dhënë një shans në fushën e blertë. Për momentin, Abazaj kërkon mbështetjen e tifozëve, pasi ngelet po i njëjti “Kristal” si ai i para pak muajve. /Shqipëria.ch/