
Kombëtarja nuk bind as në miqësore. Skema 3-5-2 e Panuçit u pa si një skemë fantazëm për lojtarët të cilët nuk kishin as idenë më minimale se si mund të luajnë. Nuk ka saktësi në sulm, mesfusha e dobët dhe e çorientuar ndërsa mbrojtja me tre lojtarë duke disi bosh. Siç e pranuan edhe disa lojtarë në koferenca, Shqipëria nuk doli në lojën e saj më të mirë. Në bazë të lojës së ofruar, Shqipëria.ch ka vlersuar paraqitjen djemëve kuqezi sipas notave të më poshtme.
Berisha (4.5)– Nuk është dashur asnjëherë ndërhyrja e tij në ndeshje, teksa Jordania mbrohet e gjitha në portën e saj. Me pasimet me këmbë ka shumë për të përmirësuar, e vë disa herë prapavijnë në rrezik.
Lila (4.5)– Kërkon me patjetër një gol për t’ia dedikuar fëmijës së tij që do të vijë në jetë. Madje, duke e tepruar disa herë me gjuajtjet e tij nga distanca. I mungon saktësia.
Gjimshiti (5.5)– Mbrojtja ka pak punë, por atëherë kur Gjimshiti thirret në detyrë, është gjithmonë aty.
Mihaj- Mëkat! Pa fat dhe sigurisht që pa notë. Largohet pa mbërritur ende minuta e 10, për të përfunduar në spital për shkak të një dëmtimi të pësuar në fushë.
Binaku (5)– Detyrat e tij mbrojtëse nuk mund të testohen ndaj një kundërshtari si Jordania. Sa i përket aspektit sulmues, mundohet të dërgoj disa topa të rrezikshëm në zonë, por jo gjithmonë ia del në mënyrën e duhur.
Mavraj (C) (4.5)– Kapiteni i Kombëtares nuk jep atë që pritet me shiritin e kapitenit në krahë. Megjithatë flasim për një ndeshje ku Shqipëria gjendet vetëm në sulm dhe mbrojtësat kanë pak punë.
Ramadani (4.5)– Nuk duket shumë në fushën e lojës, madje shpeshherë gabon me pasimet e tij.
Xhaka (5.5)– Për 45 minutat e para ishte një nga më të mirët në fushë. Driblonte gjithmonë kundërshtarët dhe u jepte frymë aksioneve sulmuese. Me largimin e tij, largohet edhe Kombëtarja nga sulmi.
Grezda (5)– Ka ende shumë për të përmirësuar. Humbet dy raste flagrante përballë portës kundërshtare, ndërsa edhe me driblimet e tij, fiziku nuk i përgjigjet shpeshherë. Por Grezda tregoj se ishte i njëjti lojtar që ka ndezur gjithmonë Kombëtaren.
Gavazaj(4)– Një nga futbollistët më të dobët në fushë. Krosimet e tij nuk janë në asnjë moment të rrezikshëm, ndërsa gjuajtjet drejt portës për t’u harruar.
Manaj (5)– Paraqitje pozitive sa i përket dëshirës dhe grintës për të dhënë maksimumin për Kombëtaren, por duhet të punoj me finalizimin.
Më i miri që vjen nga pankina
Myrto Uzuni (5.5)– Panuçi e duartroket, Shqipëria ka nevojë për një lojtar të tillë. Shpërthen në krahun e djathtë, ndërsa kundërshtarët nuk mund ta ndalin për asnjë moment të vetëm. Me rrezik për vetë lojtarin, bëri që tifozët shqiptarë të kenë pritshmëri të larta për të ndaj Izraelit.