You are here
Home > Futbolli Shqiptar > Notat e Kosovës/ Vojvoda futet “me mik” në formacion, dikush t’i tërheq veshin fenomenit Zhegrova

Notat e Kosovës/ Vojvoda futet “me mik” në formacion, dikush t’i tërheq veshin fenomenit Zhegrova

Kosova ka marrë një barazim në ndeshjen ndaj Ishujve Faroe, duke u ndalur me rezultatin 1-1. Një shifër kjo që e mban ende Kosovën në lojë, si favoriten kryesore për të dalë nga ky grup.

Megjithatë, paraqitja e djeshme nga futbollistët dardanë, ka lënë shumë për të dëshiruar, sidomos prapavija. “Shqiperia.ch” ka bërë një vlerësim të futbollistëve të hedhur nga minuta e parë, ku dallohet lehtësisht se shumë prej tyre, ngelin në klasë.

Notat e Kosovës

Ujkani (4)- Një fenomen i çuditshëm ndodh me Ujkanin. Kundërshtarët kanë gjithmonë pak raste për të shënuar, por atëherë kur godasin në portë, portieri i Kosovës thjeshtë duhet të nxjerrë topin nga rrjeta. Ndodhi me Maltën, u përsërit me Ishujt Faore, megjithëse kishte pak për të evituar në atë gol të pësuar. Nuk përbën siguri për prapavijën.

Vojvoda (4)- Sa mirë që nuk e ka një tjetër mbrojtës të djathtë, sepse Vojvoda nuk do të ishte në formacion titullar te Kosova. Një paraqitje tmerrësisht e dobët mund të quhet ajo e Vojvodës edhe ndaj Ishujve Faroe, ashtu si ndaj Maltës. Kundërshtarët e kalojnë në shumë duele, nuk ka siguri në largimet e topave, ndërsa pasimet e tij, janë një histori më vete, asnjëherë të përfunduara atje ku duhet.

 Rrahmani(4.5)- Kosova vuan në prapavijë dhe pesha bie mbi Rrahmani. I dhuron topin kundërshtarit, që ky i fundit të shënoj golin në portën e dardanëve. Më shumë pritet nga Rrahmani, megjithëse është i padiskutueshëm te Kosova.

Dallku (4)- Emocionet e debutimit si titullar apo pasiguritë e tij, kjo nuk dihet ende, duhet ta zgjidh vetë futbollisti. Por që Arbin Dallku ka nevojë për shumë përmirësime, është e sigurt. Sa shumë topa të dhuruar për kundërshtarit dhe këndore për ta. Nuk është asnjëherë i sigurt në duele dhe nuk mund të mbroj topin edhe në momentet më të thjeshta. Imagjinoni, flasim vetëm për Ishujt Faroe.

Aliti(4.5)- Paraqitje negative ndaj Ishujve Faroe, por këtu nuk ka shumë faj. I improvizuar në krahun e majtë, me mungesën e Kolollit, nga ai pozicion vjen edhe goli i parë i Ishujve Faroe. Në qendër të mbrojtjes është i pakalueshëm, por krahu nuk është pozicioni i Alitit.

Voca(4.5)- Larg paraqitjeve të mira dhe nuk ka ngjashmëri me futbollistin që kemi parë te Luzerni. Në disa raste tregon qetësi, e në të tjera pasiguri. Kosova kërkon lojtarë të qëndrueshem dhe me ekuilibër.

Shala(6)- Gjendet kudo në fushë, vrapon  pafundësisht dhe nuk lodhet kurrë. Një nga më të mirët e Kosovës, është padyshim Shala. Thyen aksionet e kundërshtarit dhe me shpejtësi shkon për të ndërtuar ato të Kosovës. Futbolli nuk luhet i vetëm!

Zhegrova(4)- Dikush t’i tregojë Zhegrovës, se nuk jemi në “Freestyle”. Futbolli është një lojë grupi dhe goli gjendet vetëm me pasime. Mesfushori i Genk nuk e heq topin asnjëherë nga këmbët, shumë opisione për të pasuar, por i vetëm do të shkoj drejt portës. Shaland duhet t’i tërheq vëmendje, kështu nuk shkohet askund. Pavarësisht talentit të madh që zotëron, notë ngelëse për egoizmin e tij të tepruar dhe topat e dhuruara për kundërshtarin.

Berisha(4.5)- Ndikon padyshim ai dëmtim dhe koha e gjatë jashtë fushës së blertë. E humb busullën e orientimit ndaj Ishujve Faroe, Kosova nuk krijon thuajse asgjë. Gjysmë note shtesë vetëm për përpjekjet e tij për të dalë nga gjendja ku është. Sa shumë për të përmirësuar!

Rashica(5.5)- Vjen si një rrufe në qiell të hapur dhe pastaj…zhduket! Një gol i çmendur ishte ai i Rashicës ndaj Ishujve Faroe, vështirë se do të shohim një të dytë. Potencialin e zotëron dhe ai realizim e tregon këtë gjë, por më pas nuk shihet në fushë.

Nuhiu (4)- Paraqitje shumë e dobët. Dëshira nuk mjafton e vetme, Atdhe Nuhiu vetëm një sulmues që nuk mund të konsiderohet ndaj Ishujve Faroe. E vërteta është se shërbehet pak nga shokët e skuadrës, por në asnjë moment nuk e tregon diferencën e tij ndaj kundërshtarëve modest, për të dhënë një shkëndijë të vetme në sulm. /Shqiperia.ch/

Postime të tjera


Nëse e vlerësoni punën e “Shqiperia.ch” si media e vetme e përkushtuar me lojtarët e Kombëtares dhe sportistët shqiptarë, mund të kontribuoni për zgjerimin e projektit dhe vazhdimësinë tonë në të ardhmen.
Paypal: G453645282@gmail.com

Leave a Reply

Top