You are here
Home > Kombëtarja > Njeriu që ndihmon lojtarët shqiptarë, Besnik Prenga zbulon: Myrto Uzuni do të largohet nga Lokomotiva

Njeriu që ndihmon lojtarët shqiptarë, Besnik Prenga zbulon: Myrto Uzuni do të largohet nga Lokomotiva

Besnik Prenga vijon të mbetet një nga personat që punon jo pak për t’i siguruar mundësinë e artë talenteve shqiptarë, për të mbërritur në nivele më të larta të futbollit. Pikërisht ai shansi që për shumëkënd është i vështirë për të ardhur, mbërrin me një thirrje telefonike, nëse tregon gjithë vlerat e tua në Superiore.

Shpeshherë Prenga ka qenë në stadiumet tona për të parë më nga afër lojtarët e këtij kampionati. Lokomotiva e Zagrebit duket si të jetë Kombëtare e Shqipërisë, nisur nga numri i lartë i futbollistëve shqiptarë që e përbëjnë.

Ndërkohë në një intervistë të dhënë për “Sport Ekspres”, Prenga tregon se Myrto Uzuni do të largohet për një skuadër edhe më të fortë, falë paraqitjeve fantastike që ka zhvilluar në Kroaci, madje duke e futur edhe tek tre lojtarët më të mirë të këtij kampionati.

Si po shkon gjendja e izolimit në Kroaci dhe a ka ndonjë datë të përcaktuar për kthimin e futbollit?

Në Kroaci po vazhdon jeta pa futboll si kudo. Ne jemi në karantinë dhe besoj se sportistët kurrë nuk kanë për të pasur kaq kohë për të qendruar në familje si në këtë periudhë. Lojtarët stërviten në kushte shtëpiake, por edhe në grupe deri në 5 lojtarë së bashku. Qeveria ka marrë masa që stërvitjet e organizuara të mos fillojnë para datës 4 maj. Ndërsa Federata mendon se kampionati do të nis në 30 maj ose në 13 qershor.

I ke ndjekur zhvillimet në Shqipëri, ka pasur edhe një braktisje nga ana e shtetit nga futbolli…

E kam ndjekur, normalisht. Rama dhe qeveria aty i ka marrë masat e duhura për të parandaluar shtrirjen e Koronavirusit. Sa i përket qendrimit të saj kundër sportit dhe futbollit në veçanti, prisja një ndërhyrje dhe ndihmë konkrete prej saj.

Kemi dëgjuar nga ana e Kastratit se Cokaj do të firmosë me një ekip të madh. Ka pasur një ofertë konkrete në këto kohë?

Cokaj është një djal i talentuar dhe po rritet përditë nga ana profesionale. Por jo vetëm Cokaj, por edhe Mersinaj kanë treguar vazhdimësi, cilësi dhe kualitet në ndeshjet e tyre. Ky është një vit stabilizimi për të dy dhe besoj se vitin që vjen do të jenë lojtarët që do të mbajnë peshën e madhe te Lokomotiva. Për momentin ata nuk janë në treg dhe klubi nuk mendon për ofertat që mund të vijnë për ta. Por Cokaj, Mersinaj, Tuci janë e ardhmja e Lokomotivës. Me siguri e ardhmja e tyre është në klube të forta të Europës.

Po sa i përket Myrto Uzunit? Vazhdon shkëlqimi i tij, por a është momenti për të kaluar në një tjetër skuadër?

Myrto Uzuni me siguri do të transferohet këtë vit në një kampionat më cilësor. Ofertat për të nuk kanë munguar pasi ka kaluar një formë të shkëlqyer. Mendoj se është në tre lojtarët më të mirë të kampionatit kroat të futbollit. Myrto jam i sigurt se nuk do të jetë më pjesë e Lokomotivës për vitin tjetër.

Ndërkohë kemi edhe Indrit Tucin. Me fizikun e tij na kujton Brojën që po shpërthen me Chelsean. Tucit i mungojnë ende golat, por në sezonin tjetër do të flasim me siguri si tani për Brojën apo jo?

Tuci është një djal i talentuar, me personalitet në fushë dhe në jetë. Ky ishte viti i prezantimit në futbollin kroat dhe te i rriturve. Ka bërë paraqitje të shkëlqyera duke tërhequr vëmendjen e specialistëve kroatë të futbollit. Tuci ka nevojë për më shumë vazhdimësi në lojë të cilën sipas politikës që ndjek klubi do ta ketë në vitin e ardhshëm. Një gjë është e sigurt, Broja dhe Tuci janë e ardhmja e futbollit shqiptar.

Ndërkohë që disa lojtarë shqiptarë e kanë përdorur Lokomotivën si trampolinë dhe janë gati për t’u larguar, të tjerë mund të vijnë. Ka piketime të reja nga Superiorja?

Superiorja shqiptare ndiqet me kujdes në Kroaci, jo vetëm nga ne si Lokomotivë, por edhe nga skuadra të tjera që e kanë ndjekur nga afër Superioren pasi ka shumë lojtarë të talentuar. Kampionati kroat ka qenë gjithmonë trampolinë e mirë për shqiptarët që të shkojnë në kampionate të tjera në Europë. Do të dëshiroja që vitin tjetër të ketë edhe më shumë lojtarë nga Shqipëria në kampionatin tonë. Ne pra si Lokomotivë kemi përvojë të mirë nga këto transferime dhe besoj se në merkaton e radhës do të drejtohemi sërish aty, ku gjenden 2-3 lojtarë që janë pjesë e planeve tona. /Sport Ekspres/

 

Postime të tjera


Nëse e vlerësoni punën e “Shqiperia.ch” si media e vetme e përkushtuar me lojtarët e Kombëtares dhe sportistët shqiptarë, mund të kontribuoni për zgjerimin e projektit dhe vazhdimësinë tonë në të ardhmen.
Paypal: [email protected]

Leave a Reply

Top