
Gjatë orëve të fundit, në Shqipëri është duke u përfolur shumë rreth një arrestimi të ndodhur në ditën e sotme, ku ka rënë në pranga edhe trajneri i Kombëtares së femrave, Armir Grima. Shpeshherë mediat kanë lidhur emrin e këtij trajneri me bandën kriminale të “Bajri”, duke e akuzuar trajnerin e Kombëtares për trukime ndeshjesh.
Por si gjithmonë, nxitimi për të devijuar informacionet, e bën shpeshherë situatën më kaotike. Sipas asaj që raporton “Supersport”, vetëm një telefonatë, është ajo që po fundos emrin e Armir Grimës gjatë kësaj kohe. Tekniku 44-vjeçar nuk ka asnjë përfshirje në këtë histori, ndërsa si bazë materiale për arrestimin e tij, mjaftoi vetëm një telefonatë e një prej anëtarëve të familjes “Bajri” në drejtim të tij.
Këta të fundit kërkonin informacion nga trajneri i Kombëtares, mbi disa emra të futbollistëve të Tërbuni, të cilët ishin nga Shkodra. Grima, që është edhe vetë një trajner shkodran, i ka dhënë informacionet mbi gjendjen e lojtarëve këtij pjestari të familjes “Bajri”, ndërsa këta të fundit e kanë keqpërdorur të gjithën këtë ndihmesë.
Kërcënime kanë ardhur nga ana e tyre në drejtim të futbollistëve shkodranë që luanin me Tërbunin, që t’i linin atë ndeshje jetike Vllaznisë, që në atë sezon ishte përballë rënies. Një histori që niset e mbyllet këtu, policia mjaftohet me këtë telefonatë të përgjuar, ndërsa mediat të gatshme për t’i dhënë goditjen e fundit trajnerit të Kombëtares. Megjithatë, sigurisht që ky trajner nuk ka lidhje me trukimet e ndeshjeve në futbollin shqiptar. /Shqipëria.ch/