
Nga “ëngjëll” në “djall” mund të kthehesh lehtësisht, madje në fraksion sekondi, ndërsa të bësh të kundërtën, do të thotë të punosh muaj e muaj me rradhë, pa u lodhur, pa u dorëzuar, në mos vite.
Apo jo Shkëlzen? Ti je historia e cila dëshmohet sesi kupa shpeshherë derdhet ndoshta, edhe pa u mbushur shumë. Por mjafton që ai momenti në të cilin ti gabon, të jetë më i keqi i mundshëm, për ta harruar gjithçka të ndodhur më parë, gjithçka.
Teksa Shqipëria përmbyste çmendurisht Armeninë në Elbasan Arena, të gjithë shqiptarët katolik, myslymanë e çfarëdolloj feje tjetër, për një ditë e kishin “Zotin” e tyre aty, mundej të shihej lehtësisht, quhej Shkëlzen Gashi.
Kombëtarja jonë në atë kohë nuk i njihte përmbysjet në favor të saj, as shijen më të vogël madje, as në nuhatje. Ndërsa ato në disfavor, pafundësisht, rastet nuk kishin të përfunduar.
Një humbje që e dërgonte Shqipërinë në flakët “e ferrit”, derisa “ëngjëlli” hyri në fushën e lojës, Gashi shënoi golin më emocional të karrierës.
Teksa e gjitha Shqipëria vërtitej rreth tij në ato kohëra, mjafton një moment i vetëm për të ndryshuar gjithçka. I gjendur i vetëm përball portierit zvicerian, Gashi humb atë rast që nuk duhej të humbej për asnjë arsye të vetme, arsyet të gjithë i dimë.
Por futbolli ky është fundja, ndonjëherë ato që duken më të thjeshtat, janë realisht më të vështirat. Sidomos për Shkëlzenin, golat nga 30 metra i kishte kthyer në sportin e tij të preferuar, ndërsa në aq pak metra afër portës, u bllokua totalisht.
Tashmë Shkëlzen Gashi duket i harruar, madje edhe nga vetë tifozët. Duke parë aftësitë e tij ky lojtar mund të përdorej fare mirë kundër Skocisë në mungesën e Roshit ose të paktën të jetë në listën e Kombëares, por jo…
Ka gabime e gabime, Shkëlzen, por nuk janë të gjitha të së njëjtës kategori. Ai ndaj Zvicrës mesa duket ishte ai fatali, kur një shans i dytë më shumë sesa thjeshtë e pamundur, duket si një humbje kohe. Një çast, ndryshon realisht çdo gjë… /Klaudio Ndreca- Shqipëria.ch/