Si një hero u konsiderua futbollisti shqiptar te Verderi, Milot Rashica. Mjaftoi ai gol në sekondën e fundit ndaj Frankfurtit, ajo kryevepër nga goditja e dënimit, që lojtari të ngrihej në piedestal.
Të gjithë tifozët kërkonin aktivizimin e tij si titullar, ndërsa lëvdatat nuk kishin të mbaruar. Për të mbërritur te një aktivizim 20 minutësh, ndaj Nurenbergut, në një takim që Verderit i doli situata nga duart. Me dëshirën për të lënë gjurmë, Rashica shpeshherë e tepronte me mbajtjen e topit dhe goditjet drejt portës.
Kaq mjaftoi që futbollisti shqiptar të konsiderohej një “zero e madhe” nga tifozët, që tashmë kërkonin mosaktivizimin e tij në fushën e lojës. Ashtu edhe bëri trajneri i Verderit në ndeshjen e fundit, duke mos e aktivizuar për asnjë minutë Rashicën ndaj Augsburgut.
Megjithatë, e keqja nuk duket të ketë fund. Në takimin që Verder zhvillon ndaj Herthës së Berlinit në ditën e sotme, emrin e Rashicës nuk e shihni as në pankinë. /Shqipëria.ch/