
Tashmë është e konfirmuar, ashtu siç iu informuam edhe në mbrëmje për një mungesë të mundshme të Arlind Ajetit edhe në ndeshjet e nëntorit, pas asaj përplasje në fushën e lojës me vëllain e tij, Albianin, fatkeqësisht gjithçka është konfirmuar.
“Blick.ch” tregon se një operacion i mbrojtësit të Shqipërisë, është thjeshtë i pashmangshëm. Kjo nuk është hera e parë për një futbollist si Arlindi, që sapo kishte ardhur nga një dëmtim. Por më ironikja, është fakti se këtë herë lëndimi ka ardhur nga vëllai i tij, gjatë një dueli mes tyre në takimin Grashopërs-Bazel.
“Ministri i mbrojtjes”, ashtu siç u quajt me Shqipërinë në Euro2016, e ka humbur kombëtaren kuqezi për vitin 2018, pasi Arlindi do të jetë jashtë fushave gjatë gjithë kësaj periudhe, ndërsa kuqezinjtë do të luajnë ndaj Skocisë dhe Uellsit. /Shqiperia.ch/