
Valon Berisha pritej shumë për të bërë diferencën te Lacio edhe nga vetë tifozët e klubit. Pas atij sezoni të zhvilluar së fundmi me Salzburgun, mesfushori shqiptar kishte treguar se ishte i gatshëm për të luajtur edhe në nivele më të larta. Megjithatë disa gjëra nuk varen në dorën e tij, ashtu si edhe dëmtimet e shpeshta që po i prishin kulmin e karrierës.
Dëmtim pas dëmtimi, nga momenti që Berisha i është bashkuar Lacios për 8.5 milionë euro, ka pësuar tre dëmtime të njëpasnjëshme. Falë këtyre problemeve, më shumë lojtari shqiptar është parë jashtë fushës së blertë, sesa i përfshirë në të. Së fundmi ai ka munguar sërish ndaj Bolonjës për këtë arsye, ndërsa raportohet se nuk do të luajë as ndaj Torinos.
“Luftëtari” i mbetur në ambulancë, kështu e quajnë mediat italiane Valon Berishën. Ky i fundit gjithmonë ka bindur me aftësitë e tij në ato pak raste që ka qenë në formën më të mirë në fushë, por për të vazhduar me fanellën e Lacios, fillimisht duhet të thyej mallkimin. /Shqiperia.ch/