
Kombëtarja e Shqipërisë do të zhvillojë dy ndeshje të rëndësishme në muajin shtator, teksa do të përballet ndaj Francës dhe Islandës. Takime shumë vendimtare këto për vazhdimësinë e kuqezinjëve, me shpresat që janë disi të zbehura, por fitorja e fundit e marrë ndaj Moldavisë na mbajti ende në lojë.
Tashmë situata është e qartë edhe për vetë drejtuesit e klubit, ashtu si edhe tifozët: “Shqipëria ka nevojë për ndryshime rrënjësore, nëse do të luajë seriozisht ato pak shanse për kualifikimin në Europian”. Ndërsa janë duke u përgatitur edhe ftesat për lojtarët e Shqipërisë, faqa e vetme që i përkushtohet Kombëtares, “Shqiperia.ch”, iu sjell edhe disa nga ndryshimet që priten të zyrtarizohen pas disa ditësh.
Eros Grezda nuk do të ketë një ftesë nga Kombëtarja, ndërsa ka qënë një nga më të preferuarit e tifozëve. Lojtari që i përket Rangersit teorikisht, por pa asnjë minutë të vetme loje me këtë skuadër, nuk mund të sigurojë ftesën e Shqipërisë, pa harruar edhe shkakun e sjelljes aspak profesioniste që ka treguar në kohët e fundit.
Gjithashtu shumë mëdyshje ka edhe për Armando Sadikun. Sulmuesi i Kombëtares mund të mungojë në ndeshjet e shtatorit, por këtë herë jo për një dëmtim. Futbollisti elbasanas nuk ka minuta loje te Levante ashtu si edhe Grezda, megjithëse në rastin e Sadikut mund ta kemi edhe në listën e pritjes.
Pra nëse dëmtohet një tjetër futbollist gjatë stërvitjes, mund të thirret Sadiku. Por mungesa e tij në listën e plotë dhe të parë duket thuajse e sigurtë. Sa i përket prurjeve të reja, Klaus Gjasula do të marrë ftesën e Rejës. Pikërisht mesfushori që shërben si një rast motivues për talentet e reja, pasi e ka nisur nga kategoria e katërt e Gjermanisë, ndërsa tani luan me Paderbornin në Bundesligë.
Gjithashtu një shans pritet edhe për Taulant Seferin, ndërsa në diskutim mbetet nëse do të jetë në listën e parë apo në atë të pritjes. E për të përmbyllur artikullin rreth listës së pritshme të Kombëtares, një ftesë do të mbërrijë edhe për Marash Kumbullën, por duke shpresuar se nuk do të kemi një tjetër dëmtim. /Klaudio Ndreca-Shqiperia.ch/