Shqipëria mbetet ende në pritje të zyrtarizimit të trajnerit të ri, ndërsa në qershor do të luhen ndeshjet e rradhës të kualifikueseve të Europianit. Koha nuk premton shumë, prandaj një konfirmin mbi teknikun e kuqezinjve duhet të vijë në ditët e ardhshme.
Por kush do të jetë njeriu që do të zëvendësoj Panuçin? Shumë emra janë shtruar në tavolinë, me “dashurinë e madhe për italianët” që nuk mund të anashkalohet. Por nëse i rikthehemi historive të shkuara, madje edhe në momentin më kulmor të Shqipërisë, me De Biazin, ka pasur shumë kritika për nivelin që tregohej në fushën e lojës.
Qartësisht filozofia e Italisë në futboll nuk preferohet më në Shqipëri si dikur, megjithëse fqinjët tanë vazhdojnë të jenë si një model për ne, ku shpeshherë përpiqemi t’i huazojmë edhe gjërat më të këqija, si në rastin e “zhveshjeve” në televizionet sportive.
E për t’u rikthyer sërish në çështjen e trajnerit të ri të Kombëtares, Arjan Peço është një kandidat serioz për të marrë këtë detyrë të rëndësishme. Flasim për ish-lojtarin e Shqipërisë që ka luajtur përkrahë yjeve si Bogdani, Tare, Bushi dhe Rraklli. Jo pak, por 13 herë e ka mbajtur veshur fanellën e Kombëtares si lojtar, ndërsa tashmë mund të rikthehet si trajner.
Por përse Peço? Fillimisht duhet të shohim paksa eksperiencën e tij. Ai ka kaluar të gjitha moshat te Bazeli, duke filluar nga U-14 e për të mbërritur në U-21. Kujdes! Kjo nuk është një arritje e pakët, pasi që klubi më i njohur në Zvicër t’i besoj postin më të rëndësishëm një trajneri shqiptar, atëherë kjo shërben si një dëshmi e gjallë. Pra aftësitë e Peços janë më shumë sesa mbi mesataren, pasi është e gjatë rradha e trajnerëve zviceranë për të marrë stolin e të rinjëve të Bazelit. Në poste të tilla, zakonisht nuk bëhet fjalë për bamirësi.
Nëse shohim praktikat që ndiqen nga ana e Kombëtareve më të mëdha Europiane, mbërrijmë gjithashtu në përfundimin se trajnerët më të suksesshëm, janë ata që e nisin gjithçka hap pas hapi. Ashtu si edhe Peço, që pas karrierës si futbollist, askush nuk ia shtroi tapetën e kuq. Do të ishte vetë trajneri shqiptar që me punën dhe përkushtimin e tij, do t’i hapte vend vetes edhe në Zvicër, për të konfirmuar vlerat e tij. Shpeshherë shtrojmë pyetjen: “Si mund të bëhet Shqipëria?”. Ndonjëherë edhe përgjigjet për pyetjet më të vështira, janë më të thjeshta nga sa duken realisht.
Vendi ynë mundet vetëm nëse shqiptarët të shpërndarë nëpër Europë dhe botë, kthehen për të dhënë kontributin e tyre dhe eksperiencën e marrë jashtë, për ta vënë në shërbim të atdheut. Në këtë rast, është Arjan Peço që ka shumë për t’i dhënë Shqipërisë. Fundja, çdo goditje dhe gol i pësuar i Shqipërisë do të ishte një goditje edhe për vetë trajnerin, ndërsa çdo realizim një lumturi më vete. E jo si në rastin e trajnerëve të huaj, të cilët largohen të qetë dhe me xhepa të mbushura pas një eksperience të dështuar në vendin tonë: “Thjeshtë një vend më shumë në jetën e tyre”. /Shqiperia.ch/