Young Boys arriti të fitonte me rezultatin 3-1 ndaj Bazelit, në takimin e fundit të vlefshëm për kampionatin zviceran. Një ndeshje kjo që tregon edhe për një çështje të mbyllur para kohe, sa i përket titullit kampion.
E megjithatë, një lojtar i Young Boys është kthyer në diskutim në Zvicër, në mënyrë krejtësisht të panevojshme. Mbrojtësi i Sanogo ka bërë një ndërhyrje “makabër” ndaj Freit, teksa pasi largoi topin e ka goditur me taka në këmbë.
Gjyqtari nuk e ka parë një gjë të tillë, duke e vazhduar lojën, megjithëse mund të diskutohej edhe një karton i kuq në atë rast. Në Zvicër po i japin një shpjegim kësaj situate dhe analizojnë lojtarin në fjalë, ndërsa e krahasojnë me Taulant Xhakën.
Do të ishte Andy Egli, trajneri zviceran në një prononcim për “Blick.ch”, i cili shprehet: “Stili i Sanogos i lojës është i kufizuar. Të jep përshtypjet se ke të bësh me jetën dhe vdekjen. Nuk i përket futbollit. Përsa kohë Sanogo e miraton stilin e tij të lojës, incidentet të tilla do të jenë në rritje. Duhen ndëshkime drastike për të ndryshuar. Megjithatë, edhe Taulant Xhaka i Bazelit futet në të njëjtën kategori”, ka thënë Egli. /Shqiperia.ch/