
Një debutim thuajse në perfeksion ishte ai ndaj Parmës për mbrojtësin francez, Malcuit. Ky i fundit përfitoi nga rëndësia e ndeshjes dhe kalendari i Napolit, duke i marrë vendin Elseid Hysajt dhe duke bërë që në ambient e napolitanëve, të kishte vetëm vlerësime pozitive: “Gjetëm një Kafu të ri”.
Pikërisht ajo që i mungonte Hysajt gjendej te francezi. Mbrojtësi shqiptar ka pikën më të fortë lojën fizike, qëndrueshmërinë e tij dhe aspekin mbrojtës. Ndërsa pikën më të dobët, pjesmarrjen në aksionet sulmuese dhe ndihmën e skuadrës në këtë drejtim.
Këtu është avantazhi më i madh i Malcuit, që ndaj Parmës i dha një dorë të madhe sulmit dhe i hapi punë Hysajt për pjesën e vazhdimësisë së kampionatit. Nëse shqiptari kërkon gjithmonë vendin e titullarit, atëherë duhet të ketë një marsh më shumë.
Sipas asaj që raportojnë mediat italiane, Hysaj do të rikthehet nga minuta e parë në takimin ndaj Juventusit së bashku me Mario Ruin, për të vetmen arsye: “Ançeloti kërkon mbrojtës që i japin siguri në aspektin e ndaljes së kundërshtarit”. /Shqipëria.ch/