
Edon Zhegrova është padyshim një nga futbollistët shqiptarë më premtues për të ardhmen. Potenciali i këtij lojtari shihet lehtësisht në fushë, megjithatë ka ende shumë për të përmirësuar në mënyrën e tij të lojës.
Futbollisti i Genk kritikohet herë pas here për sjelljen e tij në fushë, teksa gjithmonë kërkon ta zgjidh golin me aksion personal. Në lidhje me këtë çeshtje ka folur edhe trajneri i njohur shqiptar, Ismet Munishi. I ftuar në emisionin “Dueli Sportiv”, Munishi thotë se përtej talentit që Zhegrova zotëron, është një futbollist i zakonshëm dhe trajneri duhet t’i tregojë disa mënyra të pasimit, të cilat nuk po i bën aktualisht.
“Duhet të themi ato gjëra që shohim dhe t’i përkthejmë në mënyrën e duhur. Zhegrova është një lojtar që ka një kapacitet jashtëzakonisht shumë të madh. Megjithatë, ai gjithmonë përsërit gjëra të njëjta. Ne e dimë përpara se të marrë topin Zhegrova, se çfarë do të bëj ai.
Me të duhet punuar në mënyrë të veçantë dhe t’i jepen 2-3 detyra. Atij duhet t’i tregohet se kur i shkon mbrojtësi i djathë pas shpine duhet t’ia pasojë topin, t’i tregohet se ndonjëherë duhet të japësh edhe pasimin e parë e të dytin, t’i tregohet se kur është një me një me kundërshtarin, duhet ta pasojë topin te shoku i skuadrës, nëse ai ndodhet në pozicion më të favorshëm. Atëherë ai do të jetë lojtari i milionave. Nëse vazhdon kështu, do të jetë një lojtar i zakonshëm dhe shumë i parashikueshëm”, u shpreh Munishi. /Shqiperia.ch/