
Shqipëria e futsallit ka kaluar në raundin kryesor të kualifikueseve të Botërorit, pasi ka triumfuar në dy takimet e para të raundit të parë në fazën kualifikuese. E ku ka më bukur se një kualifikim i tillë të vijë me një përballje ndaj Greqisë? Pas asaj fitore me San Marionon, erdhi edhe një tjetër me Greqinë në shifrat 5-3.
Kuqezinjtë e drejtuar nga Erind Resuli kanë bindur me nivelin e treguar, ndërsa ajo përballje e fundit me Maqedoninë në datën 3 shkurt do të jetë sa për statistika. “Shqiperia.ch” ka kontaktuar menjëherë një nga protagonistët e këtij takimi, Halim Selmanaj. Autori i dy golave ndaj Greqisë, shqiptari i Kosovës ka treguar edhe për emocionet e përjetuara.
“Një ndjenjë e pashpjegueshme emocionale. Jemi shumë krenar që e kemi shkruar historinë. Tani shpresojmë ta përfundojmë të parët në grup, megjithëse ka pak rëndësi. Dua të shënoj gjithmonë kur i duhem Shqipërisë. Të kalojmë edhe grupin tjetër e të arrijmë atë që pak kush e ka menduar, që të jemi pjesë e Botërorit”, u shpreh Selmanaj. /Klaudio Ndreca- Shqiperia.ch/