Frika më e madhe për Elseid Hysajn u kthye në realitet, pikërisht ashtu siç ndodhi edhe në merkaton e dimrit. Roma, Atletiko Madrid, Juventusi, Manchester Junajtid, Totenhemi, Interi ishin disa prej skuadrave të njohurave që dolën në media se kërkonin mbrojtësin shkodran.
Në fund? Të gjithë këto skuadra u kompletuan me nga një mbrojtës krahu në organikën e tyre, por jo duke zgjedhur lojtarin e Shqipërisë. Mund të duket disi qesharake, por e ardhmja e Elseid Hysajt do të jetë te Napoli, pavarësisht gjithë zhurmës mediatike.
Këtë e ka pranuar vetë menaxheri i shkodranit, Mario Xhuifredi që teksa ndodhej te Fiorentina për një takim pune për një nga klientët e tjerë të tij, mbi rastin e Hysajt tha vetëm një fjalë, e cila do të thotë shumë: “Ka për të qëndruar te Napoli”. Sigurisht që ky ishte vendimi më pak i pritur, në një kohë që pas ndeshjes së Shqipërisë me Moldavinë, komentatori i njohur, Dritan Shakohoxha u shpreh i sigurt se Hysaj kishte blerë shtëpi në Milano dhe kishte firmosur me Interin. /Shqiperia.ch/