
Ditën e djeshme janë luajtur sfidat e javës të 18 të kampionatit italian, “Seria B”. Kjo ligë shquhet për shqiptarët e shumtë që janë pjesë e klubeve që militojnë në kampionat.
Një përballje që mund të quhet edhe një derbi shqiptarësh ishte ajo mes Peskarës dhe Venecias, pasi në këto klube bëjnë pjesë edhe dy legjionarët kuqezi, Memushaj dhe Vrioni. Respektivisht me ekipin e Peskarës dhe Venecias. Kjo sfidë është mbyllur me fitoren e të kaltërve me rezultatin e ngushtë 1-0, të cilët me këtë fitore vazhdojnë të jenë në luftë për t’u ngjitur në elitën e futbollit italian.
Përsa i përket lojtarëve të Kombëtares, si Memushaj ashtu edhe Vrioni e startuan këtë përballje nga minuta e parë. Ledioni luajti përgjatë 90 minutave, ndërsa Vrioni u zëvendësua në minutën e 63. Peskara rikthehet në rezultatet positive, pas një serie negative që detyroi këtë skuadër të lëshojë edhe kreun. Durimi ishte sosur dhe kritikat kishin nisur në drejtim të futbollistëve, por vetë Memushaj do të shprehej pak ditë më parë për mediat, se nuk duhet të përjetohet si një tragjedi e gjithë gjëndja që po kalohej nga ky klub. /Shqiperia.ch/