“Do të na akuzojë majmuni (si paraardhësi jonë), e do na thotë : “O bijë, akoma nuk u bëtë njerëz?!” Kjo është shprehja e të madhit Dritëro Agolli, që dhemb kaq shumë, por njëkohësisht ka edhe shumë vërtetësi në të.
Por në botën mbarë, vijnë edhe shembuj të disa rasteve, kur njerëzit kërkojnë të japin prova, se meritojmë ende të quhemi të tillë. E gjithë Italia, por edhe Europa mbarë po flet për gjestin human të Antonio Kandrevës. Futbollisti që luan me Interin, ka origjinë të largët arbëreshe, ajo e gjyshit të tij. Një lidhje e ngushtë gjaku me Shqipërinë, por sot të flasim për një tjetër çështje.
Në Itali prej disa kohësh ka mbizotëruar ndodhia e një vajze 6-vjeçare që i ka prekur zemrat e të gjithëve. Ajo ka qarë në shkollën fillore të Minerbe, pasi e diferencuan nga pjesa tjetër e nxënësve. Prindërit e saj nuk kishin kushtet ekonomike për t’i paguar drekën e plotë vajzës, ndërsa shkolla i ofroi vetëm pak ushqim, me pjatat e nxënësve të tjerë që ishin të mbushura përplot.
I prekur nga ky rast, Antonio Kandreva ka vendosur t’i jap fund këtij diskriminimi, ose më mirë të jap kontributin e tij për pakësimin e këtyre rasteve. Futbollisti ka kontaktuar menjëherë kryetarin e bashkisë së atij qarku ku ndodhej shkolla në fjalë, duke vendosur të paguaj gjithë faturën, që vajza 6 vjeçare të mos kishte më të njëjtin problem, për t’u mos u dalluar nga fëmijët e tjerë.
Nuk mjaftoi me kaq, Kandreva vendosi të paguajë edhe faturat e fëmijëve të tjerë që kishin probleme ekonomike, që të ushqeheshin normalisht në shkollat e tyre. Ndoshta këtu duhet të futet edhe shprehja e D.Oreste Benzi, për një botë më të mirë: “Unë nuk i trembem të keqes që ekziston, por të mirës që mungon”. /Klaudio Ndreca- Shqiperia.ch/