
Vitet e këqija kanë kaluar dhe figura e Shqipërisë po bën gjithmonë e më të tepër jehonë jashtë kufijve tonë zyrtarë, për një vend që ndryshon nga ajo se çfarë të huajt imagjinonin për ne. Politika është kaq shumë mbrapa në hapa, ndërsa sporti ka shërbyer në pjesën më të madhe të rasteve, si ambasadori më i mirë për të krijuar një tjetër imazh të shqiptarëve.
Në Zvicër për këtë gjë kujdeset klubi i FC Albania Zurich, që është një skuadër futbolli e shqiptarëve të Rajonit të Zurich. Kjo vetëm në pamje të parë, sepse në të përfshihen të gjitha trevat shqiptare. Misioni kryesor i këtij ekipi është promovimi i kulturës shqiptare, ndërsa në vitet e fundit janë hedhur edhe shumë hapa përpara.
Kështu, FC Albania Zurich e ngjitur në Ligën e Tretë gjatë këtij sezoni, ka marrë një fitore jetike gjatë ditës së sotme, pasi ka mundur Regensdorfin me rezultatin e thellë 5-2. Tashmë ekipi shqiptar renditet në vendin e 10, me 9 pikë të marra në po aq javë të zhvilluara. I ftuar i veçantë në ndeshjen e sotme për klubin e FC Albania Zurich, ishte edhe figura e njohur sportive në Shqipëri, Redi Jupi, që ka bërë edhe një fotografi së bashku me skuadrën dhe presidentin e saj, Sokol Dautin, pas triumfit të arritur. /Shqiperia.ch/