
Mirënjohja është gjithmonë cilësia bazë që e bën një qënie njerëzore, të mbart këtë emërtim. Keidi Bare është padyshim një lojtar i tillë, që pavarësisht hapave të hedhura, di të kthejë kokën pas për të parë se nga ka ardhur, e për të falenderuar njerëzit që i zgjatën dorën.
Nga Atletiko e Madridit do të vinte për të ndihmuar të rinjtë e Malagës, derisa mrekullia erdhi. Trajneri i skuadrës e parë e thirri për t’iu bashkuar, ndërsa Bare prej tre ndeshjesh rradhazi ka qenë futbollisti më i mirë në fushë.
E gjithë vëmendja e mediave dhe tifozëve është te mesfushori shqiptar, që nuk harron të përmendi ndihmën e madhe që i ofroi trajneri Muniz. “Unë nuk e prisja këtë, erdha që të ndihmoja të rinjtë e Malagas dhe jam këtu falë ndihmës së trajnerit. Jam shumë i lumtur vetëm falë tij. Gjithashtu më duhet të falenderoj shokët e skuadrës që më ndihmuan aq shumë. Shpresoj të luaj më shumë ndeshje si titullar. Tifozët janë shumë të rëndësishëm për ne, ata janë si lojtari i 12-të dhe kemi nevojë për ta”, u shpreh Keidi Bare. /Shqiperia.ch/