Që në momentin kur te Kolorado Rapids po mendohej seriozisht sa i përket vendeve të pakëta të lira për futbollistët e huaj, veprimi i menjëhershëm u ndërrmor. “Viktima” e kësaj skeme u bë Shkëlzen Gashi, që me valixhet në krahë, i duhet të lërë Amerikën.
Sulmuesi shqiptar është larguar zyrtarisht nga Kolorado, ndërsa tashmë do i duhet të kërkoj për një ekip të ri. Milionat merrte Gashi në kampionatin amerikan, ndërsa shifra e pagesës sipas asaj që transmetohet lehtësisht në një kërkim të thjeshtë në internet, shkon deri në 1.6 milionë dollarë. Rregullat janë të qarta, nëse Gashi ende nuk e ka gjetur ekipin e ri, e merr rrogën e plotë te Kolorado deri në fund të sezonit. Në të kundërt, do të përfitoj një pagesë të pjeshme. Futbollisti shqiptar ka zhvilluar 69 ndeshje për ekipin amerikan, duke shënuar 14 gola dhe dhënë 6 asist.
Ndërkohë drejtori sportiv i Kolorados, Padraig Smith u shpreh i zhgënjyer nga niveli i treguar nga Gashi: ”Dëshira e tij ishte që të qëndronte dhe të tregonte vlerat. Të them të drejtën, jam i zhgënjyer nga ky lojtar. Nëse ktheni pak kokën pas kur Gashi ka ardhur, në Zvicër shënonte 19-21 gola dhe ishte lojtari i vitit”, u shpreh Smith. /Shqiperia.ch/