Transferimi i Rey Manaj te Interi ishte shumë i bujshëm, duke qenë se sulmuesi shqiptar shihej si një ndër talentët më premtues në Itali dhe jo vetëm.
Pas një sezoni jo të mirë me zikaltërit, ku u aktivizua shumë pak në kampionat, Manaj u huazua në disa ekipe dhe së fundmi po luan në Spanjë me Granadën.
Është pikërisht Granada, skuadra e cila mund ta ndihmojë Manajn që të bëjë një hap të madh në karrierë, pasi drejtuesit e Granadës kanë në pronës edhe Parmën që u ngjit në Seria A këtë sezon. Granada mund të blejë kartonin e Manajt nga Interi, duke qenë se lushnjari nuk është në planet e zikaltërve dhe pasi të bëhet blerja përfundimtare, atëherë ai mund të transferohet në Itali për të luajtur me Parmën.
Kalimi i tij te Parma do të ishte një hap i madh në karrierë për Manajn, duke parë se Parma është një skuadër e riformuar dhe mund t’i jepet hapësirë të rinjve për sezonin e ardhshëm. /Erjon Allaraj- Vipsport.al/