
Shqipëria arriti të merrte një fitore shumë të vlefshme ndaj Izraelit në “Elbasan Arena”, përpara vetëm pak ditësh. Kjo fitore kishte vlerë të dyfishtë, duke parë se nga vinte Kombëtarja, pas atyre dështimeve të shumta në miqësoret e zhvilluara.
Tashmë Izraeli ka kaluar me sukses dhe Ledian Memushaj mund të flasë hapur mbi atë aventurë të kaluar. Mesfushori shqiptar ka pohuar se humori nuk ishte i mirë në grumbullimin e parë të futbollistëve shqiptarë, ndërsa u këshillon atyre që të kenë kujdes ndaj Skocisë, sepse ende nuk është bërë asgjë.
“Në fillim humori nuk ishte i mirë në skuadër. Ekipi vinte nga një periudhë e vështirë dhe normalisht që nuk ishim të kënaqur. Ambienti ishte disi negativ në fillim kur erdhëm, e kjo ishte arsyeja kryesore se përse duhet të fitonim ndaj Izraelit.
Gjithsesi duhet ta kemi mendjen te Skocia në këtë moment, sepse nuk kemi bërë asgjë. Është e vështirë të dalim në përfundime në këtë moment se në çfarë pozite mund të dalim, pavarësisht dëshirave tona”, është shprehur Memushaj për ”Panorama Sport”. /Shqipëria.ch/