
“Zgjodha të rikthehesha te Peskara, sepse nuk kishte shumë interesime rreth meje”, i sinqertë dhe kokëulur, ashtu siç të gjithë e njohim, Ledian Memushaj sqaroi akoma më tepër rikthimin e tij te Peskara.
Nga kjo e fundit e ndau dëshira për të qenë pjesë e elitës së futbollit italian, por kishte ardhur momenti i duhur që mesfushori vlonjat të riktheheshe në shtëpinë e tij. Në një analizë për mediat italiane, trajneri i lindur në Peskara dhe që ka pasur drejtimin e skuadrës, Andrea Camplone, është shprehur se ardhja e Memushajt e forcon së tepërmi skuadrën italiane, por për momentin mesfushori shqiptar vlerësohet se nuk është në formën e duhur.
“Ekipi i Peskarës ka një skuadër të mirë, por për mendimin tim nuk është në momentin më të mirë. Ardhja e Brugman dhe Memushaj e ka forcuar skuadrën, mund të cilësohen si një armë e fortë. Megjithatë, që të dy futbollistët dukshëm nuk janë aty ku duhet aktualisht”, ka thënë Camplone, duke paralajmëruar kështu edhe Panuçin, sa i përket formacionit që do të ideojë ndaj Izraelit dhe Skocisë. /Shqipëria.ch/