Mehmet Kurda është një trajner që ka zbuluar shumë xhevahirë, që po i shërbejnë futbollit shqiptar në ditët e sotme. Tekniku i njohur në Kosovë, ka punuar me lojtarë që sot janë shumë të njohur për sportdashësit.
Emri i Milot Rashicës sigurisht që nuk ka nevojë për shumë prezantim, ndërsa futbollisti që tashmë luan me Werder Bremen, ruan nderin e shqiptarëve të pakët në Bundesligë. Nga ana tjetër, Milot Avdyli është lojtari i ri dhe i prespektivës. Më i miri ishte në takimin ndaj Zvicrës U-17, ndërsa shënoi edhe ndaj Qipros.
Në një intervistë për “Gazeta Blic” trajneri Kurda është shprehur se do të vazhdojë të furnizojë Kosovën me talente: “Ne si shkollë e futbollit e cila funksionon që nga viti 2005 dhe merr pjesë në gara te rregullta me grupmoshat e reja në Lidhjen Rajonale të Prishtinës dhe në kuadër të FFK-së ndihemi mjaft krenar që i kemi dhënë Kosovës futbollistë si Milot Rashica, e po ashtu edhe në gjeneratën U-17 futbollistë si Milot Avdyli, Leuart Avdyli dhe Hajdin Salihu të cilët në kualifikimet e fundit në Qipro kanë zënë vendin e parë dhe ishin mjaft të dalluar në këtë kompeticion”, tha Kurda. /Shqiperia.ch/