
“Arena Kombëtare” vazhdon punimet me ritmet e përshpejtuara, ndërsa pavarësisht disa kundërshtive që kishte hasur në projekt, pamja që po merr “shtëpia e re” e Shqipërisë po i bind gjithmonë e më tepër skeptikët. Shumë ishte përfolur që stadiumi në Tiranë do të ishte gati për ndeshjen e qershorit, madje ky ishte edhe objektivi i parë, por tashmë është e pamundur.
Për t’i vendosur kapakun kësaj historie ka folur vetë presidenti i FSHF-së, Armand Duka. Gjatë punimeve për akademinë e arbitrimit në shkollën sportive në Durrës, Duka ka folur edhe sa i përket “Arenës Kombëtare”, duke e qartësuar gjithçka sipas asaj që raporton “Koha Jonë”: “Ndeshjen me Moldavinë do e zhvillojmë në Elbasan. Pastaj do të përgatitemi që takimin e rradhës ta luajmë në “Arenën Kombëtare”. Do të ishte mirë të bëhej si u parashikua në qershor, por ishte e pamundur”, ka thënë Duka. /Shqiperia.ch/