
Mërgim Mavraj do të largohet nga Arisi në Greqi dhe do të vazhdojë karrierën e tij te Ingolshtadi. Gjithçka e përfolur më parë, merr një formë zyrtare me fjalët e pohuara nga e vetë futbollisti. Në një intervistë dhënë për “Telesport”, mbrojtësi i Kombëtares ka pohuar edhe arsyet që e larguan atë nga Arisi.
Kështu, Mavraj ka folur për thashetheme dhe gjëra jashtë futbollit, të cilat ndikuan për ta larguar atë nga skuadra. Madje trajneri i kishte premtuar edhe qëndrimin në skuadër, megjithatë një gjë e tillë rezultoi e pashmangshme. Në fund futbollisti shqiptar flet edhe për vlera që tentohen të përbalten, e një gjë e tillë nuk mund të lejohej në asnjë mënyrë.
“U folën shumë gjëra, por asnjëherë për futboll dhe për mua si futbollist. U fol për gjëra që nuk kanë të bëjnë me futbollin dhe paraqitjet në fushë, por thashetheme. Më rënduan si profesionist dhe si lojtar, pasi kur vendosa të transferohem në Greqi e bëra për të ndihmuar një klub që besoi te unë. Të gjitha më pas e vështirësuan situatën. U ballafaqova me gjëra jo serioze. Mungoi mirësjellja edhe kundrejt punës time. Këto janë shkaqet që nuk më lejuan të jap më të mirën.
Nuk mund të them se janë të pakënaqur për mua, pasi më kanë vlerësuar, por rryma të ndryshme kanë ndikuar. Këto gjëra, si futbollist, nuk i pranoj dot. Të prishet emri dhe vlerat e mia si lojtar. Nuk i shes dhe nuk i ndërroj vlerat për askënd. Nuk është komunikuar asnjëherë nga klubi që do të më largojnë. Kjo është një arsye e madhe që u mërzita, pasi gazetat e morën vesh përpara të gjithëve. Madje, në një bisedë që kam pasur me trajnerin më tha se më shpejt iki unë se sa ti si lojtar, por në anën tjetër luhej pas krahëve. Nuk kam dëshirë të them asnjë fjalë të keqe për Arisin, tifozët dhe futbollin grek. Por, vlerat e mia personale dhe si lojtar nuk lejoj që të mi përbaltë askush në botë”, u shpreh Mavraj. /Shqiperia.ch/