Ditën e djeshme Shqipëria mori një humbje me rezultatin e thellë 4-0 kundër Skocisë. Disfata më e madhe që ka pësuar në këto 20 vite, teksa ishte sfida e fundit e kompeticionit të “Liga e Kombeve”. Në këtë humbje mund të themi se ndikuan edhe vendimet e arbitrit të ndeshjes, teksa kapiteni Mërgim Mavraj mori kartonin e kuq në minutën e 20, ku në atë moment u prishën edhe balancat e sfidës.
Ishte kjo shkëndijë negative që gjërat për Kombëtaren në sfidën e djeshme morën për keq. Mërgim Mavraj mori shumë kritika për këtë veprim ndoshta të pamenduar mirë dhe të pahijshëm.
Pak çaste më pare, kapiteni i Shqipërisë, Mavraj, në profilin e tij zyrtar të rrjeteve sociale “Instagram” dhe “Facebook, ka publikuar një status të tij, teksa kërkon ndjesë publikisht për atë moment dobësie. Gjithashtu në këtë postim ai është shprehur se nuk lejon dot askënd që të vendos në diskutim dashurinë e tij për ngjyrat kuqezi.
“E ndiej të kërkoj publikisht falje për atë moment dobësie . Të gjithë gabojmë dhe këtë herë më ndodhi mua. Për Kombëtaren kam luajtur dhe i dëmtuar madje në situata edhe shumë më të vështira, ndaj ajo që kërkoj është të më kritikoni, sigurisht, por jo të vini në diskutim rrespektin dhe dashurinë për këtë fanellë e këto ngjyra.
Shohim përpara, me bindje se Shqipëria do të kthejë kapitull. Të gjithë bashkë mund tia dalim përsëri, por nëse jemi të ndarë ateherë mund të na mposhtë”, u shpreh kapiteni i Kombëtares, Mërgim Mavraj. /Shqiperia.ch/