Partizani do të luajë këtë javë së bashku me Tiranën, derbin e Superiores dhe ndeshjen që shërben si një reklamim i bukur për kampionatin shqiptar. Sa herë që këto dy ekipe ndeshen me njëra-tjetrën, stadium ka qenë gjithmonë i tejmbushur, megjithëse këtë herë tifozët e Tiranës kanë njoftuar bojkotin e tyre.
Ndryshe paraqitet situata në krahun e Partizanit, teksa përveç atij incidenti të ndodhur me Alban Hoxhën, gjithçka tjetër është duke ecur në mënyrën më të mirë. Skuadra e kuqe ndodhet në vendin e parë, duke qenë më e avantazhuar edhe në aspektin psikologjik ndaj kundërshtarit.
Një gjë të tillë e thotë hapur edhe trajneri i Partizanit, Skënder Gega, duke i pranuar këto avantazhe që ka skuadra e tij ndaj Tiranës. “E rëndësishme është që ekipi është i karikuar, i bërë gati dhe do të bëjmë të pamundurën të japim spektakël dhe atë që tifozët presin në fushë. Nëse e njeh ekipin tënd dhe e sheh sesi punon, arsyet se përse kanë ardhur deri në këtë pikë, e shtyn çdo trajner të jetë optimist. Mendoj se do të jetë rradha jonë përsëri.
Ecuria jonë është ajo që tregon se kush është diferenca. Jemi vendi i parë pavarësisht tre humbjeve. Jemi një ekip solid, që vrapon për 90 minuta dhe që i ka ndërthurur elementët e rinjë.Kjo është diferenca, por kjo fazë ka treguar se ne jemi të parët sepse e meritojmë dhe pjesa tjetër ndryshon nga ne.
Për mua ka qenë shqetësim dëmtimi i Albanit dhe e doja të ishte 100% i gatshëm për derbin ndaj Tiranës. Nëse e marrim si qytetar, të gjithë nga ne e kanë kaluar limitin me ndonjë gotë, por si sportist nuk duhet të ishte në atë vend. Albani nuk do të luajë, besoj se mangësitë e tij dhe mungesa në stërvitje prej kohësh, do t’i jap mundësinë portierit tjetër”, u shpreh Gega. /Shqiperia.ch/