
Një traumë e madhe ishte ajo që pësoi Rei Manaj në ndeshjen ndaj Granadas. Sulmuesi shqiptar ra pa ndjenja në fushë, teksa vetëm falë barrelës arriti të largohej nga fusha e lojës. Menjëherë në spital, fillimisht për futbollistin e Kombëtares u mendua më e keqja, një dëmtim në tru.
Fatmirësisht nuk rezultoi kështu, ndërsa falë mbështetjes së madhe dhe dashurisë nga tifozët e Albasetes, futbollisti shqiptar bëri gjithçka për t’u rikthyer sa më shpejtë në fushë. Nuk kaluan shumë orë, ndërsa Manaj do të zbriste menjherë në fushën stërvitore.
Mjekët i thanë se nëse donte të dërgonte deri në fund çmendurinë e tij, atëherë ishte i detyruar të vendoste një maskë në fytyrë. E bëri këtë gjë, por nuk kaluan disa minuta duke u stërvitur dhe maska përfundon tutje në fushë.
Manaj nuk ka pranuar ta mbante më mbrojtësen e fytyrës, megjithëse kjo mund të përbëj rrezik serioz për shëndetin e futbollistit. Te Albasete janë jo pak të shqetësuar, teksa pavarësisht guximit të madh dhe përkushtimit të jashtëzakonshëm që po tregon shqiptari, mund të përfundoj në stol për takimin e rradhës, vetëm për të mos rrezikuar shëndetin e tij. /Shqiperia.ch/