
Jurgen Gjasula është një nga lojtarët e shumtë shqiptarë i cili luan në Gjermani. Në orët e fundit të merkatos së janarit ai u transferua tek skuadra e Kotbuzit. Këta të fundit bëhen skuadra e 13, ku mesfushori shqiptar ka luajtur në karrierën e tij. Aspak qëndrueshmëri në karrierën e këtij lojtari, që shënoi vetëm 1 gol në ekipin e Viktorias së Berlinit ku ndodhej së fundmi.
Tashmë ai ka kaluar te Kotbuzi deri në fundin e sezonit, por me të drejtën e blerjes për një vit. Gjasula është 33 vjeç, ku mund të themi se është në vitet e fundit të karrierës së tij si futbollist. Kujtojmë që në fillimet e tij, mesfushori u cilësua si një nga talentet më të mëdha të asokohe, teksa me Kombëtaren kuqezi luajti për pak kohë. Por herët nisi tatpjeta, duke bërë që Kombëtarja të mos e grumbullonte më këtë lojtar.
Gjasula nuk do e përtypte dot vendimin, teksa për mediat asokohe shprehej se në Shqipëri mbizotëron interesi dhe nuk i jepte dot shpjegim faktit sesi nuk grumbullohej kur luante në Gjermani. Koha i dha të drejtë vendimit të kombëtares shqiptare, pasi jo gjithmonë fakti i të luajturit Shqipërisë duhet të jetë përcaktues për të arritur Kombëtaren. Karriera e Gjasulës pa një perëndim të hershëm, ndërkohë që të gjithë ishin duke pritur për shpërthimin e tij. /Shqiperia.ch/