
Partizani arriti të fitonte Superioren me në krye trajnerin Skënder Gega, duke i mbyllur gojën të gjithë skeptikëve. Kjo pasi të kuqtë kishin vite që objektivin kryesor e shihnin nga titulli, por gjithmonë përfundonin shumë larg tij.
Këtë vit erdhi sukses i madh, ku sigurisht një pjesë e madhe e meritës i përket edhe trajnerit që gjeti formulën e suksesit. Por jo të gjithë tifozët e Partizanit e gëzuan nga toka këtë kampionat, pasi kishte edhe si në rastin e Leo Carës, që festuan nga qielli. Djaloshi i vogël ndërroi jetë në shtator të vitit të kaluar, pasi vuante nga një sëmundje e kockave.
Tifozi i veçantë i kryeqytetasve ndodhej i paralizuar, por kjo nuk e ndaloi asnjëherë që të ndiqte çdo ndeshje të Partizanit së bashku me babain e tij. Për disa nga shpenzimet e terapive të Leos u përkujdes edhe klubi i të kuqëve, megjithëse në fund nuk mjaftoi. Lotëve të hidhërimit tani i lënë vend atyre të gëzimit: “Leo Cara, shijoje nga lart! Ky titull është vetëm për ty”. /Shqiperia.ch/