
Një nga risitë më të mëdha që nga momenti që Panuçi bëri me ardhjen e tij në stolin e Kombëtares, ishte afrimi i mesfushorit Kamer Qaka.
Askush nuk e njihte këtë njeri, por sapo e panë atë, afeksioni nisi në mënyrë të menjëhershme. Arsyeja? Luante në një kampionat me nivel të mirë futbolli, me Poli Iasin, ndërsa në dorë kishte tatuazh edhe simbolin tonë kombëtar, shqiponjën.
Kombëtares i duhen gjithmonë njerëz të tillë, që e duan vendin e tyre pafundësisht, ndërsa kërkojnë të japin kontribut me fanellën e kuqezinjve. Por Panuçi mban të njëjtin vendim, ashtu si edhe në rastet e fundit, duke e lënë jashtë Qakën, megjithëse luan titullar me ekipin e tij.
Ende enigma mbetet, por arsyeja kryesore e këtij vendimi nga italiani, duket se ka qenë ndoshta sjellja e lojtarit. Pasi kaloi te Steaua e Bukureshtit, mes aq shumë tentativash dhe peripecish, ai do të largohej pas vetëm disa javësh, për t’u rikthyer sërish në klubin e tij fillestar. E shpeshherë, ashtu si në rastin e fundit Qaka bën disa gabime fëmijnore, duke dalë nga fusha me karton të kuq e duke rrezikuar jo pak jetën e kundërshtarit, me një ndërhyrje të pakuptueshme.
Ndërkohë, presidenti i Steauas, Bekali, shprehej për mesfushorin shqiptar: “Nuk kemi kohë që të rrisim edhe fëmijët”, fjalë këto që i drejtoheshin Qakës. Tashmë, mesa duket është edhe Panuçi ai që nuk ka kohë të rrisë mesfushorin, pasi italiani nuk ka shumë kohë për t’u marrë vetëm me një lotjarë. /Shqiperia.ch/