
Legjenda e Lacios dhe njëkohësisht ish-portieri i këtij ekipi, Marco Balota, ka folur sa i përket pjesës së gardianit për sezonin e ardhshëm te skuadra e Serisë A. Gjatë kohëve të fundit është hedhur ideja e një transferimi të Bufonit, për t’i hapur konkurrencë Strakoshës.
Por në këtë mendim nuk është Balota, i cili shprehet se nuk mund të quhet investim marrja e ish-portieri të Juventusit. Për më tepër ai këshillon drejtuesit e Lacios që të mos e largojnë lojtarin e Shqipërisë:
“Mund ta marrim Bufonin që të qëndroj për një vit, por nuk mund të bëhet investimi me të. Në këtë mënyrë mund të zëvendësosh Strakoshën për një vit dhe ndërkohë të gjendet një tjetër zëvendësues i denjë. Unë do të isha më shumë për Perinin nëse Strakosha do të largohej, por sinqerisht do të qëndroja me të. Ai mund të përmirësohet në gjithçka. Ka fituar më shumë siguri dhe do të vazhdojë kështu”, ka thënë Balota. /Shqiperia.ch/