
Fundjava që lamë pas ishte një nga ato më të mirat përsa i përket lojtarëve shqiptarë. Pikërisht fjala është për Liridon Latifin, teksa me ekipin e tij të Puskas Akademy, ka mundur të jetë protagonist në fitoren e skuadrës së tij me rezultatin 2-0 përballë Mezokovesd-Zsory.
Mesfushori shqiptar arriti të jepte një asist tepër të veçantë, që shpesh herë jemi mësuar ta shohim nga yjet si Iniesta dhe Xavi. Latifi arriti ta dërgonte sferën pas shpinës së mbrojtjes e cila u finalizua nga shoku i tij i skuadrës. Liridoni ishte sërish protagonist, teksa me një vrapim të shpejtë, u pengua brenda zonës dhe arriti të fitonte një 11-metërsh.
Ndonëse nuk arriti të shënonte në këtë sfidë, Latifi ishte një nga lojtarët më të mirë të ndeshjes, ku arriti të dhuronte një assist dhe të fitonte një penallti. Me fitoren e marrë skuadra e Puskas Akademy që është pjesë edhe shqiptari, renditet në mesin e tabelës së klasifikimit të kampionatit hungarez. Latifi u bë pjesë e këtij ekipi në verën e vitit 2017, por vetëm këtë sezon duket se ai po rikthehet në formën që jemi mësuar ta shihnim gjithmonë 24 vjeçarin. /Shqiperia.ch/