
Fiorin Durmishaj mbetet kryefjala e orëve të fundit, nisur nga disa lajme të qarkulluara nga mediat greke së fundmi, se sulmuesi shqiptar ka zgjedhur Greqinë. Kjo ka ardhur në mënyrë krejtësisht të papritur, pasi të gjithë prisnin që lojtari i Panionosit t’i bashkohej Shqipërisë së Panuçit.
Më parë Durmishaj ka luajtur edhe me Shpresat kuqezi, por zgjedhja e tij përfundimtare duket të jetë e ndryshme. Në një intervistë të fundit që trajneri i Greqisë, Angelos Anastasiadis, ka dhënë për mediat greke, ka rrëfyer gjithçka në lidhje me zgjedhjen e Durmishajt.
“I kam ndjekur takimet e Panionosit në shumë raste. Asgjë nuk mund të bëhet pa dëshirën e lojtarit. Kam folur me të disa ditë më parë. Unë i thashë se isha i interesuar ta shihja te Greqia. Ai ka luajtur edhe me Shpresat e Shqipërisë. Përgjigja ishte se dëshironte të luftonte për Greqinë. Procedurat po vijojnë dhe fundi do të jetë i lumtur”, ka thënë Anastasiadis. /Shqiperia.ch/