
Futbolli shqiptar prej vitesh është në “zonën tranzit”. Ndryshime pafund, hyrje-dalje dhe skema pafund. Por, ende nuk është kuptuar se kush është “ilaçi” që i bën më mirë futbollit tonë.
Duke nisur që nga moshat e deri te Kategoria Superiore, përherë ka pasur ndryshime që kanë ndihmuar dhe në të njëjtën kohë kanë dënuar ekipe të ndryshme që kanë marrë pjesë në garë.
Kjo është e vërtetë, sepse për faj të skemës, kanë qëndruar në një kategori më poshtë ekipe që kanë merituar të jenë pjesë e elitës dhe të tjera janë ngjitur. Favorizime kalendari apo marrëveshje të fshehta jo pak herë kanë nxjerrë në dritë disa skuadra e disa të tjera i kanë groposur.
Por, mendohet që viti i ardhshëm të jetë ndryshe. Shpresë dhe dritë jeshile për të gjithë. Eduasportin.com mëson në mënyrë ekskluzive se pritet që në një mbledhje të ardhshme të Komitetit Ekzekutiv të bëhet ndryshimi i skemës për Kategorinë Superiore dhe Kategorinë e Parë. Detajet ende nuk kanë dalë në skenë, por normalisht do të ketë një numër më të madh skuadrash që do të marrin pjesë në elitën e futbollit shqiptar që nga sezoni 2019-20.
Kategoria Superiore – Normalisht, sezoni 2018-19 nuk mund të ketë ndryshime, pasi vendimi duhet të ishte marrë një vit më parë. Kështu që na duhet që të presim për ndryshimet e mëdha. Zgjerimi i numrit të skuadrave që do të marrin pjesë në Kategorinë Superiore do të sjellë mundësinë që të zvogëlohet numri i takimeve përmes njëra-tjetrave. Deri më sot skuadrat e elitës takohen jo pak, por 4 herë me njëra-tjetrën, për të mos harruar përballjet në Kupën e Shqipërisë, ku disa skuadrave iu duhet të takohen 6 herë brenda të njëjtit vit.
Numri që po diskutohet është 14, pasi do të ishte ideal për një shtet të vogël si Shqipëria. Por, skema nuk parashikohet që të jetë vetëm me dy përballje direkt, por mund të ketë ndarje në dy grupe ku skuadrat do ketë ekipe që do të luftojnë për kreun dhe Europën dhe të tjera për rënien direkt dhe zonën “play-out”. Kështu, në varësi të Superiores do të lëvizë dhe skema në të Parën, ku do të ketë ndryshime që ende nuk janë përcaktuar, pasi skema aktuale me 10 skuadra, me dy grupe dhe më pas me ndarjen 5 me 5 për mbijetesën dhe elitën si dhe përgjysmim pikësh kanë sjellë shumë polemika gjatë viteve të fundit.
Kupa e Shqipërisë – Normalisht dhe Kupa e Shqipërisë si evenimenti i dytë më i madh në futbollin kombëtar ka sjellë polemikat e veta. Që në ndeshjet e para dallohet qartë kush do të vijojë garën, pasi skuadrat e Kategorisë së Dytë dhe të Parë eliminohen menjëherë duke “hapur krahun” për të mëdhatë që janë të pakonkurrueshme për shkak të formatit.
Mendohet që të hiqet skema vajtje-ardhje, por të bëhet si në sistemin italian ku deri në fazën çerekfinale të jetë me një ndeshje. Kjo i jep shansin skuadrave të vogla që të luajnë për lavdi dhe për të shkuar sa më lartë. /EDS/ ERJON HAMITAJ