You are here
Home > Kombëtarja > Ky është formacioni ideal, më të mirët e Shqipërisë dhe Kosovës në një skuadër

Ky është formacioni ideal, më të mirët e Shqipërisë dhe Kosovës në një skuadër

Shqipëria dhe Kosova kanë zhvilluar dy ndeshjet e mbetura të “Ligës së Kombeve”, sa i përket muajit tetor. Rezultatet e marra prej aty nuk kanë qenë aspak pozitive, teksa respektivisht kuqezinjtë kanë humbur ndaj Izraelit me rezultatin 0-2, ndërsa dardanët kanë barazuar ndaj Ishujve Faroe me rezultatin 1-1.

Ashtu si edhe pak ditë më parë, “Shqiperia.ch” ka ndërtuar formacionin më të mirë të përbashkët, duke u bazuar në këto dy ndeshje të zhvilluara. E përsërisim, ky nuk është formacioni më i mirë i mundshëm i të gjitha kohërave, por vetëm sa i përket këtyre dy ndeshjeve të zhvilluara: Izrael-Shqipëri dhe Ishujt Faroe-Kosovë.

Strakosha- Në humbjen ndaj Izraelit mund të bënte më mirë me pozicionimin në atë gol të parë të pësuar, por më shumë fajtor ishte Mavraj që situata shkoi deri te gardiani kuqezi. Merr rolin e heroit në minutat e fundit me disa pritje dhe dalje që evitojnë gola të sigurtë. Në ndryshim nga Strakosha, Ujkani gjithmonë ka të njëjtën histori, vetëm nxjerr topin nga rrjeta, në ato pak goditje që i shkojnë drejt portës.

Binaku- Ia del të fitoj balotazhin me Alitin për formacionin më të mirë të përbashkët. Nuk ka nevojë për shumë analizë të thellë, mjafton të themi se Binaku është lojtar i këtij krahu, ndërsa Aliti i improvizuar nga mungesa e Kolollit. Krosime të bukura në zonë dhe preçizion i lartë!

Rrahmani- Nuk është në ditën e tij më të mirë ndaj Ishujve Faroe, por në kampin kuqezi ka edhe më keq, Mavraj. Rrahmani mbetet një siguri për “dardanët”, pavarësisht se nga gabimi i tij nisi edhe goli i Ishujve Faroe. Të dy futbollistët ishin në mbrëmje të errët dhe skuadrat respektive e pësojnë prej tyre, por Rrahmani nuk i përsërit shumë gafat elementare, ndryshe në rastin tjetër.

Gjimshiti- Dyshes së mbrojtjes me Rrahmanin, i bashkohet edhe Gjimshiti. Pavarësisht se për fatin e tij të keq, diçka do shkoj gjithmonë jashtë parashikimeve, për mbrojtjen kuqezi lojtari i Atalantës është një mur i pakalueshëm. Nëse sulmuesit e Izraelit do të përplaseshin në mbrojtje, kjo sepse do të gjenin Gjimshitin.

Hysaj- Jo ndonjë shkëlqim i madh ndaj Izraelit, por sepse Vojvoda bën edhe më keq se mbrojtësi i Napolit. Gabon shpeshherë me pasimet e tij, por edhe dhuron perla nga këmbët e tij. Një të tillë e humbi Balaj, që harroi detyrën e tij për një moment ndaj Izraelit, për të sulmuar topin dhe për ta shtyrë në portën e boshatisur. Nuk mund t’ia kujtonte Hysaj në këtë rast, që e bëri punën e tij.

Shala- Gjendet në çdo pozicion të fushës, kudo, nuk i shterojnë kurrë energjitë. Thyen një aksion dhe vrapon për të ndërtuar tjetrin. Sikur Kosova të kishte më shumë futbollistë si Shala ndaj Ishujve Faroe, jo vetëm që nuk do të diskutohej fitore, por ndoshta do të flisnim për goleadën.

Xhaka- Me Shalën do të përbënte dyshen perfekte të mesfushës. Me klithmën e një luani, Xhaka të frikëson në fushë. Nuk mund as t’i ndërhysh në mënyrë të keqe, pasi janë dy mundësi: “Ose do të vazhdoj pavarësisht përpjekjeve të kundërshtarit për ta ndalur në mënyrë të parregullt, ose do lëshoj mijëra britma para fytyrës së tij”.

Uzuni- I padiskutueshëm në vendin e këtij formacioni të përbashkët. Tregon atë që Zhegrova nuk mundet, frymën e grupit. Pavarësisht aftësive të mëdha për të bërë diçka i vetëm, Uzuni gjithmonë zgjedh ta pasojë topin, për të qenë më i sigurt dhe për të krijuar sa më shumë raste në portën kundërshtare, me lojën e grupit. Në të kundërt, Zhegrova dhe egoizmi i tij, nuk shkojnë shumë larg.

Berisha- E keqja më e vogël! Nuk shkëlqen ndaj Ishujve Faroe dhe e çuditshme është përfshirja e tij në këtë listë, por te kuqezinjtë ka edhe më keq, Memushaj. Berisha është edhe më i justifikuar, pasi vjen nga një dëmtim i gjatë dhe kurrsesi nuk mund të shpreh më të mirën në fushën e lojës. Fiton balotazhin këtë herë, por ka shumë për t’u përmirësuar e për ta merituar vendin.

Grezda- Praktikisht luan vetëm 45 minuta, derisa kundërshtari i kupton stilin e lojës dhe e bllokon. Megjithatë, në krahun tjetër kemi Zenelin, që për asnjë moment të vetëm nuk arrin të tregojë diferencën. Lojtar i madh është, por takimi ndaj modestëve të Ishujve Faroe, nuk ishte ndeshja e tij. Për më tepër për Grezdën ishte 90 minutshi i parë që luante pas asaj mungese të gjatë nga periudha e dëmtimit që vjen. Bën shumë më tepër.

Nuhiu- Asgjë nuk bëri për të qenë në këtë formacion dhe po aq e çuditshme duke e përfshirja e tij në listën e përbashkët. E megjithatë, nuk u shërbye nga shokët e skuadrës thuajse në asnjë moment. E kundërta ndodhi te Shqipëria, teksa Bekim Balaj shpërdoron gjithçka që pjesa tjetër e skuadrës ndërton me aq mund dhe djersë. Më mirë Nuhiu në këtë rast! /Shqiperia.ch/

Postime të tjera


Nëse e vlerësoni punën e “Shqiperia.ch” si media e vetme e përkushtuar me lojtarët e Kombëtares dhe sportistët shqiptarë, mund të kontribuoni për zgjerimin e projektit dhe vazhdimësinë tonë në të ardhmen.
Paypal: G453645282@gmail.com

Leave a Reply

Top