You are here
Home > Futboll Bota > Ky është formacioni i vitit, më të mirët e Shqipërisë dhe Kosovës në një skuadër

Ky është formacioni i vitit, më të mirët e Shqipërisë dhe Kosovës në një skuadër

Duke qenë në datën 31 dhjetor, praktikisht kur mbyllet edhe viti futbollistik në arenën sportive, “Shqiperia.ch” si media e vetme sportive kushtuar Kombëtares sjellë formacionin më të mirë të vitit. Sigurisht, në opinionin tonë duke u nisur edhe nga paraqitjet e lojtarëve.

Megjithëse në raste të tilla ka gjithmonë vënd për diskutimeve, në përgjithësi janë këta lojtarët më të mirë shqiptarë për vitin që po lëmë pas. Me Kosovën që ka qenë një “kështjellë” në mbrojtje dhe Shqipërinë që ka pësuar shumë gola, nuk kishte sesi dominimi i dardanëve të mos ishte në prapavijë.

Sa i përket mesfushës, e vetmja vendosje disi e guximshme, është ajo e Ergys Kaçes. Megjithëse futbollisti kuqezi ka luajtur pak ndeshje me Panathinaikosin këtë sezon, nisur edhe nga dëmtimi i tij, ai ka treguar gjithë potencialin e tij, duke realizuar në mënyrë fantastike dhe duke dhënë pasime ëndrrash. Madje, edhe në Greqi janë duke e kandiduar këtë futbollist për lojtarin e vitit te Panathinaikosit.

Formacioni shqiptar më i mirë i vitit

Strakosha- Sa i përket portës, nuk ka shumë dyshime. Pavarësisht disa lëkundjeve të vogla që mund të ketë pasur për gardianin e Lacios në kohët e fundit, ngelet portieri më i mirë shqiptar në vitin që lamë pas. Nëse kombëtarja shqiptare e mbyll me tre pikë në “Ligën e Kombeve”, kjo vjen falë tij. Lacio ka fituar shumë pikë në kampionat, nisur nga ndërhyrjet e mrekullueshme të Strakoshës, që e kanë bërë edhe si portierin me origjinë shqiptare më të kërkuar në merkato.

Kololli- Mbrojtës, mesfushor apo sulmues? Ende nuk dihet pozicioni i këtij lojtari. Çuditërisht, te Kosova e paraqisin si mbrojtës të majtë, ndërsa në fund sheh emrin e Kolollit në listën e golashënuesve apo të njeriut asist. Jo vetëm te dardanët, por edhe te Zyrihu, njeriu i heshtur, që mediat nuk i parapëlqen dhe gjithmonë kërkon të flaës në fushë, është i papërmbajtshëm.

Aliti(Ismajli)- Sezon shumë i mirë për Alitin e Skënderbeut. Madje aq shumë, aqsa në Suedi janë bindur për ta kërkuar në kampionatin e tyre. Kosova nuk pëson më lehtësisht e këtu një meritë të madhe e ka edhe Aliti, që si qendërmbrojtës nuk mund të kalohet. Ismajli është emri i tij zëvendësues, nisur nga koha e pakët që ka në fushën e lojës. Ardianin e dëmton vetëm ajo kohë e gjatë që gjendej në stol, pasi në të kundërt, me aftësitë e treguara do të gjendej mes më të mirëve.

Rrahmani- Me Dinamon e Zagrebit, ekipin më të mirë të Kroacisë luan si titullar. Një tregues mjaft i madh ky për të kuptuar se për çfarë lojtari flasim. Te Kosova ka gjithë gjakftohtësinë e kërkuar për të evituar sa më tepër situatat e pakëndshme te përfaqësuesja. E mbyll në mënyrë fantastike duke shënuar edhe ndaj Azerbajxhanit. Nisur edhe nga forma e dobët e mbrojtësve të Shqipërisë, Amiri e ka të merituar vendin mes më të mirëve.

Hysaj- Në Itali shumë, në Shqipëri paksa si edhe më tepër. Është vetëm një mbrojtës krahu, nuk mund të krosojë nga i djathti e të shënojë me kokë në qendër. Elseid Hysaj futet te mbrojtësit e pakëndshëm për t’u përballur në futbollin europian, megjithë peripecitë që po kalon së fundmi. Në kohën kur drejtohej nga Sari, shqiptari nuk mund të kalohej në të krahun e tij. Kur ekipi ka nevojë, gjendet në të gjitha pozicionet e fushës, madje edhe në të krahun e majtë. Me difektin e vetëm për të përmirësuar daljet në sulm, shkodrani mbetet një pasuri për Shqipërinë.

Xhaka- Sado të mundohen për ta plagosur, luani e ka gjithmonë fuqinë e tij. Te Bazeli i kanë hapur jo pak probleme, por për Shqipërinë është një frymëmarrje në mesfushë. Gjen një predhë ndaj Izraelit dhe është një luftëtar për pjesën më të madhe të ndeshjeve. I vetëm në futboll nuk mund të arrish asgjë, Taulanti gjithmonë të përgjigjet për pjesën e tij.

Kaçe- E vërtetë, ka vetëm pak kohë që bën jehonë në mediat sportive. Megjithatë, nuk është koha e gjatë apo e pakët, treguesi për të folur rreth një lojtari. Ergysi në pak muaj, ka treguar se mbetet me më vlera se shumë futbollistë të tjerë shqiptarë në mesfushë. Në derbi ndaj Olimpiakosit do të realizonte një gol për të vënë duart në kokë, ndërsa një tjetër pasim i tillë do të vinte së fundmi. Te Panathinaikosi e kanë hapur sondazhin për ta shpallur si më të mirin, por në Shqipëri nuk ka dyshim rreth kësaj teme për Kaçen.

Zeneli- MAGJEPSËS! Njeriu që do të mbante edhe shiritin e kapitenit në këtë grup lojtarësh, për t’u dalluar si njeriu që ka notën 10 me yll. Bën gjithçka në perfeksion, madje çmenduria e tij shkon deri aty aqsa imiton një nga kryeveprat e Ronaldinjos nga goditja e dënimit. Pasimet i ka vdekjeprurëse, goditjet drejt portës edhe më shumë. Çfarë lojtari!

Uzuni- Shumë është folur për të dhe jo më kot. Hapat që ka hedhur e tregojnë se për çfarë lojtari bëhet fjalë. Shkon te Lokomotiva e Zagrebit, e në një kohë që shumëkush ka dyshime për të nëse do të përfshihet në formacion, Lokomotiva është vetë Uzuni. Nëse keni dyshime, shihni realizimet e fundit të ekipit kroat. Me Kombëtaren debuton sikur të ketë vite që luan me atë fanellë. Më mirë nuk kishte. Ah po, sikur fati të mos i ishte treguar aq kapricoz sa t’i mohonte në dy-tre raste golat me Shqipërinë.

Toma- Më i miri te Sioni dhe talenti më i mirë në Zvicër. Gjithë Europia “zien” ende për disa pasime, që vetëm Bastien Toma mund t’i shpjegojë. E si për të përmbyllur historinë, “i magjishmi” ynë shënon edhe perlën e muajit nëntor me ekipin zviceran. “Shqiperia.ch” ka mësuar në mënyrë ekskluzive se Shqipëria i është ofruar lojtarit, por tashmë ngelet në zgjedhjen e tij.

Durmishaj(Seferi)- Shqipëria vuan shumë për sulmues. Këtë gjë e tregojnë më së miri edhe realizimet e pakëta të Kombëtares. E nëse ka një futbollist që luan në këtë pozitë të fushës që lë gjurmë, me siguri që do të humbasë me kalimin e javëve. Por Durmishaj bën dallimin nga të tjerët, pasi ka mbajtur të njëjtin nivel, duke qenë sulmuesi shqiptar më i mirë për këtë vit e duke ndezur një fije shprese te tifozët se edhe Kombëtarja mund të shënojë pa hasur shumë probleme. Të rinjtë mund të bëjnë ndryshimin, e për këtë arsye si dëshmi shërben Durmishaj dhe Seferi. E si mund të harrohet Taulant Seferi? Më i miri që ka pasur Shpresa, e që në kohët në vazhdim do i bashkohet Kombëtares së Panuçit. Shënja shprese, janë të sigurta. /Klaudio Ndreca- Shqiperia.ch/

Postime të tjera


Nëse e vlerësoni punën e “Shqiperia.ch” si media e vetme e përkushtuar me lojtarët e Kombëtares dhe sportistët shqiptarë, mund të kontribuoni për zgjerimin e projektit dhe vazhdimësinë tonë në të ardhmen.
Paypal: [email protected]

Leave a Reply

Top