
Një dramë familjare do të ndodhte për Naser Alijin, teksa pas sëmundjes së rëndë të babait të tij, mbrojtësi shqiptar e la futbollin e niveleve të larta, duke shkuar në një ligë amatore në Zvicër, vetëm për të qenë pranë familjes.
Tashmë kjo është e shkuara dhe e ardhmja flet për futbollistin e Kombëtares. Pasi e mori Dinamo e Bukureshtit dhe lojtari shqiptar ishte për një kohë të gjatë vetëm duke u stërvitur me rumunët, për të kapur formën e tij fizike, ai po rikthehet në nivelet e larta.
Gjatë takimit miqësor me Hajdukun, Alijit iu dha besimi nga trajneri dhe arriti t’ia shpërblente. Megjithëse ekipi rumun u mposht me rezultatin 0-2, shqiptari ishte nga më të mirët në fushë. “Fanatik.ro” shkruan se Naser Aliji ishte surpriza më e bukur e atij takimi miqësor, teksa shpeshherë ndërrmerte edhe aksionet sulmuese. Madje, e njëjta media shprehej se skautët që gjendeshin në stadium, u interesuan të gjithë për të pyetur rreth numrit “7” që mbahej te Bukureshti, që e zotëron shqiptari. /Shqiperia.ch/