
Një nga kritikat më të mëdha për trajnerin e ri të Shqipërisë, Reja, ishte padyshim mosha e tij. Por sapo u prezantua si tekniku i kuqezinjve, italiani e tha hapur: “Do të mundohem të ndjek stilin e De Biazit”.
Ashtu edhe po ndodh, me Rejan që e ka nisur punën prej kohësh, megjithëse Shqipëria ende nuk e ka luajtur takimin e parë. Në këto javë të fundit, mediat kanë zbuluar të paktën tre udhëtime të vetë trajnerit për të parë lojtarët tanë më nga afër.
Fillimisht në Kroaci për të vëzhguar nga afër Uzunin, Ismajlin dhe Tahirajn, ndërsa në ditën e sotme gjendej në Greqi për takimin mes Kaçes dhe Mihajt. Trajneri italian do të rikthehet në Itali, por jo për të pushuar. “Corriere dello Sport” raporton se Reja ka planifikuar të udhëtoj në Napoli, në “San Paolo” për takimin mes Interit dhe skuadrës së Ançelotit. Qëllimi kryesor është një takim që trajneri do të ketë me Elseid Hysajn, ndërsa njeriu më i afërt i tij, Gigi Febbrari, e ka kontaktuar më nga afër Hysajn në “Castel Volturno”. /Shqiperia.ch/