
Një ankth i shtuar për Saimir Ujkanin, që nuk po kalon një formë të mirë në portën e “dardanëve” në ndeshjet e fundit. Në ato pak raste që kundërshtarët sulmonin portën e Kosovës, gjithmonë topi vetëm sa nxirrej nga rrjeta nga portieri i Kosovës.
Kjo ka bërë që Shaland të ideojë ndoshta edhe një ndryshim sa i përket portës, por për momentin nuk ka alternativa. Sigurisht, kjo për shumë kohë, pasi te “dardanët” po përgatitet të vijë edhe portieri i Mançester Sitit, Arijanit Muriq. Ky i fundit ka aplikuar edhe për pashaportë, ndërsa vetëm çështje kohe ngelet afrimi i tij te lojtarët e Shaland.
I pyetur në “Instagram” se kur do të ishte dita e debutimit me Kosovën, portieri që vetëm para pak kohësh ka bërë debutimin e tij me Mançester Sitin, ka dashur që të lërë gjithçka surprizë. /Shqiperia.ch/