
Ish-futbollisti i Kombëtares, Rudi Vata, pasi i ka dhënë një dorë skocezëve për të njohur më mirë pikat e dobëta dhe të forta të Shqipërisë, rikthehet për të bërë një analizë të asaj që ai sheh në futbollin tonë, këtë herë për mediat shqiptare.
Si gjithmonë, Vata shihet në kritik në mendimin dhe gjykimin e tij, madje duke mos ngurruar për ta shfaqur atë edhe ndaj një figure të dashur për të gjithë shqiptarët, ish-kapitenit, Lorik Cana. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ai është shprehur se Cana duhet të jetë më direkt në gjykimin e tij.
“Loriku ka mendimin dhe idetë e tij, që sigurisht nëse i japin mundësinë për t’i kthyer në praktikë, mund të jenë shumë të vlefshme për futbollin mbarëkombëtar.
Unë kam dëshirë që Cana apo kushdo figurë tjetër e njohur në futbollin shqiptar, të flasin më direkt, sepse faktet janë evidente dhe që njihen e kuptohen edhe nga majmunët. Futbollin e bëjnë të mirë apo të keq njerëzit që shërbejnë në të.
Pra, njerëzit me mendje të mirë dhe që duan të shërbejnë vërtet për futbollin, do të bëjnë gjëra të mira. Ndërsa njerëzit me mendje të keqe dhe që kërkojnë dita-ditës të bëjnë para në kurriz të futbollit, do të bëjnë gjëra të këqija”, ka thënë Rudi Vata. /Shqipëria.ch/