You are here
Home > Kombëtarja > “Krenohuni me këta shqiptarë”, trajneri i Zagrebit: Uzuni largohet, Tuci shkon në një nga 5 kampionatet më të mira

“Krenohuni me këta shqiptarë”, trajneri i Zagrebit: Uzuni largohet, Tuci shkon në një nga 5 kampionatet më të mira

Një “pushtim shqiptarësh” edhe në Kroaci ku me Lokomotivën e Zagrebit gjenden shumë futbollistë të vendit tonë që po ia dilnin me sukses në këtë sezon, derisa ra pandemia. Skuadra në fjalë renditet në vendin e tretë në elitën e futbollit kroat. Ndërkohë për prurjen e një numri të lartë të futbollistëve shqiptarë, merita i takon padyshim Besnik Prengës.

Ky i fundit i dha shansin, ndërsa Uzuni, Cokaj, Tuci, Mersinaj dhe Kastrati kanë bërë gjithçka që të kthehen të rëndësishëm për skuadrën e tyre. “Sport Ekspres” ka intervistuar trajnerin e Lokomotivës së Zagrebit, kroatin Tomiç, për të marrë nga një mendim mbi të gjithë këta elemente.

Atëherë për ta nisur me Myrto Uzunin, do të jetë ky sezoni i tij i fundit me Lokomotivën e Zagrebit?

Myrto ka pasur interesimin e shumë klubeve, pasi në këtë sezon ka qenë një prej lojtarëve më të mirë në kampionat. Unë e di se një ditë do të largohet nga skuadra jonë dhe unë do të jem shumë i lumtur për të, se e meriton. Sipas të gjitha gjasave do të na largohet në këtë verë.

Ndërkohë e ardhmja shihet në këmbët e Indrit Tucit. Sipas këndvështrimit tuaj, sa larg mund të shkojë?

Tuci ka një potencial shumë të madh. Mund të bëhet një futbollist që të luajë në 5 kampionatet më të mira të Europës. Jam i sigurt se do të shpërthejë në sezonin e ardhshëm dhe do të jetë pjesë e rëndësishme e Kombëtares së Shqipërisë.

Po sa i përket Enis Cokajt? Kastrati u shpreh se do të shkonte në një skuadër dhe kampionat të fortë…

Cokaj dhe Mersinaj janë lojtarë po aq të mirë dhe me shumë potencial. Ata po luajnë si titullarë në një skuadër që është në vendin e tretë në Kroaci. Sipas mendimit tim, u nevojitet së bashku me Tucin, 1-2 sezone përpara se të shkojnë në nivelet e mëdha.

Jeni duke punuar me shumë lojtarë shqiptarë. Çfarë i dallon nga pjesa tjetër e futbollistëve, pra çfarë i karakterizon?

Shqiptarët janë të qetë, profesionist, punojnë shumë fortë dhe kanë mirënjohje për të gjithë në skuadër. Ne si klub jemi shumë të lumtur që i kemi, realisht. Me mënyrën sesi po punojnë ata, padyshim që i hapin derën edhe shumë talenteve të tjerë shqiptarë. Sigurisht, që të gjithë ju mund të ndiheni krenar me ta sepse pikësëpari keni djemë të mrekullueshëm, pastaj edhe talente të mëdha.

Për humor, por Tuci zbuloi se shokët e tjerë të skuadrës i quanin “banda e shqiptarëve”…

(Qesh) Futbollistët bëjnë shaka me këtë gjë dhe janë gjithmonë bashkë. Unë vetë nuk i kam quajtur kurrë “banda shqiptare”, por e përsëris, jam i lumtur që i kemi te Lokomotiva e Zagrebit.

Postime të tjera


Nëse e vlerësoni punën e “Shqiperia.ch” si media e vetme e përkushtuar me lojtarët e Kombëtares dhe sportistët shqiptarë, mund të kontribuoni për zgjerimin e projektit dhe vazhdimësinë tonë në të ardhmen.
Paypal: [email protected]

Leave a Reply

Top