Rastësi ose jo, këtë ende nuk e dimë, por sa herë që Emanuel Ndoji ka qenë titullar me Shqipërinë, në ato ndeshje Kombëtarja jonë ka qenë për t’u harruar.
Tifozët nuk kanë sesi të kenë një përshtypje të mirë për aftësitë e Ndojit, megjithëse një kontrast i madh është për të, me situatën e tij aktuale në kampionat. Në takimin e djeshëm, ku Breshia barazoi me rezultatin 1-1 ndaj Peskarës, lojtari i ndeshjes është zgjedhur Emanuel Ndoj.
Ndoji 7: Është i qetë dhe me prekje të topit në mënyrë të saktë në mesin e fushës. Merr kohën e mjaftueshme për ta mbrojtur skuadrën nga kundërshtarët dhe për të nisur aksionit sulmuese. Nëpërmjet vrapimeve të gjata, tregon kualitetet e mëdha që ka, duke dominuar mesin e fushës. I çmuar deri në fund për skuadrën, sespe i jep frymëmarrje. Më i miri!
Ishte ky vlerësimi i bërë nga ana e italianëve për ndeshjen e djeshme, ndërsa në këtë mënyrë mund të kuptojmë disi edhe insistimin e Panuçit për ta pasur këtë futbollist në skuadër, megjithëse nuk e ka gjendur ende veten mirë te Shqipëria. /Shqipëria.ch/