Tomas Guidara është duke kaluar një formë fantastike me klubin e Belgranos, teksa në javët e fundit po shpallet gjithmonë si futbollisti më i mirë i ekipit argjentinas. Megjithatë këta të fundit nuk ndodhen në momentin më të mirë, pasi po rrezikojnë ndjeshëm rënien nga elita e futbollit.
Por asnjë përgjegjësi nuk ka Guidara, që jo vetëm po luan me një nivel të lartë, por Belgrano e ka të vështirë që të pësojë gola. Problemi i kësaj skuadre mbetet shënimi i golave, me shqiptarin që nuk mundet të bëj dot gjithçka.
Ky pritet të jetë një nga afrimet e mëdha të Panuçit për listën e marsit, atje ku Shqipëria do të përballet ndaj Turqisë dhe Andorrës. Por ajo që e ndryshon Guidarën nga të tjerët, është edhe botëkuptimi i madh që ka ky lojtar, pasi është rritur në vështirësi për vetë rrethanat sesi i ka ardhur jeta.
“Ne duhet të jemi të qetë te Belgrano, mos të çmendemi në këtë situatë. Të kesh kokën e ftohtë dhe një zemër të ngrohtë, kështu mund t’ia dalim. Ndihem mirë kur kam për të detyrë të markoj një futbollist të caktuar dhe të luaj me agresivitet. Problemi ynë është sulmi, por kjo nuk do të thotë që duhet të shkojmë përpara tani dhe të mos mendojmë asgjë tjetër. Nëse marrim aventura të tilla, mund të lëmë shumë hapësira në mbrojtje dhe të shpërbëhemi, duke e paguar edhe më shumë”, ka thënë Guidara për mediat argjentinase. /Shqiperia.ch/