
Karlo Ançeloti njihet si një ndër trajnerët më të mirë në botë, teksa ka drejtuar edhe skuadra me shumë emër në futbollin europian. Kulmi i tij arrin kur drejtonte skuadrën italiane të Milanit, ku me këta të fundit ka marrë një sërë rezultatesh pozitive si në Itali, ashtu edhe jashtë saj.
Aktualisht, Ançeloti është në krye të ekipit të Napolit, ku me këtë skuadër ende nuk ka mundur të jetë pretendent kryesor për fitimin e ndonjë trofeu. Ndonëse janë pjesë edhe të “Europa Ligë”, napoletanët kanë shprehur potencialin e tyre për të ngritur këtë trofe, edhe pse është disi herët për të menduar një gjë të tillë. Por deri atëherë, trajneri italian ka disa sfida si në këtë kompeticion ashtu edhe në kampionat, ku si një profesionist që është, po mendon për sfidën e rradhës. Këtë fundjavë skuadra e tij do të ketë një përballje të vështirë në shtëpi kundër Torinos.
Në këtë ndeshje Karlo Ançeloti po mendon që të aktivizojë edhe mbrojtësin shqiptar, Elseid Hysaj, që nga minuta e parë. Sipas mediave italiane, lojtari shkodran është në balotazh me francezin Ghoulam, por Hysaj duket se ka më përparësi se shoku i tij i skuadrës. Ançeloti po mendon që ta aktivizojë shqiptarin në krahun e majtë të mbrojtjes, aty ku Hysaj ka luajtur gjithmonë në raste emergjente. Mesa duket këtë herë mund të pozicionohet aty për shkak të skemave dhe taktikaae që përdor trajneri italian dhe pa asnjë rast emergjence.
Edhe pse kohët e fundit aktivizimi i Elseidit është kthyer në një “polemikë”, Ançeloti nuk duket se do ta lëshojë lehtë shqiptarin, pasi siç e ka shprehur edhe më parë, Hysaj është pjesë e planeve të tij. Deri ditën e dielë që do të zhvillohet kjo sfidë, shumë gjëra mund të kenê ndryshuar dhe do të mund të shohim nëse Elseidi do të jetë apo jo në fushë që nga minuta e parë./Shqiperia.ch/