Mesfushori fierak i Kombëtares, Keidi Bare, ka pranuar se në verë do të lëvizë nga Atletiko e Madridit, por pa përmendur emra skuadrash për të ardhmen e tij. Bare është dënuar me 9 ndeshje në Spanjë, pas kartonit të kuq të marrë për protesta të ekzagjeruara ndaj arbitrit, por shpreson që ky dënim t’i ulet.
Mesfushori kuqezi ka folur edhe për kalimin në finale të Atletikos së Madridit. Ja çfarë ka thënë Bare për “Supersport”:
Atletiko
Tifozët janë të çmendur pas kësaj skuadre. Edhe pse u eliminuam nga Champions League, shkuam në finalen e Europa League dhe kjo është diçka fantastike. Forca e skuadrës janë mbrojtja dhe portieri Oblak, që pëson shumë pak gola. Megjithatë, të gjithë japin shpirtin në fushë dhe kjo skuadër bazohet te grupi.
Atletiko nuk e donte Marsejën në finale, por futbolli ky është. Për Grizman nuk e di çfarë do të ndodhë, sepse mediet shkruajnë shumë, por momentalisht ai nuk e di as vetë nëse do të qëndrojë. Për sa i përket trajnerit Simeone, ai do të vazhdojë të jetë pjesë e kësaj skuadre.
Dënimi
Jam gati të luaj që tani, por e vendos trajneri, është ai që bën zgjedhjet e tij. Gjërat tani nuk po shkojnë edhe aq mirë, pasi u dënova me 9 ndeshje. Por shpresoj t’i ul ndeshjet. Nuk ishte faji im, pasi u nervozova për një vendim të gabuar të arbitrit. Gjithsesi, shpresoj të më ulet dënimi.
E ardhmja
Tek Atletiko Madrid ka shumë konkurrencë, pasi janë lojtarë klasi, por për momentin jam këtu. Mendoj se në verë do të bëj ndonjë lëvizje, por emra konkretë skuadrash nuk ka.
Vipsport.al