
Eros Grezda është një prej zhgënjimeve të mëdha të tifozëve shqiptarë në sezonin që lamë pas. Në lëvizjen që duhej të ishte kulmi i karrierës për sulmuesin shqiptar, më shumë do të mbahet mend për gjobat e marra në Skoci, duke shkelur rregullat e qarkullimit rrugor, sesa golat e bëra.
Për të vazhduar edhe me sjelljen e pakuptimtë që shkaktoi në Kombëtare. Pikërisht në momentin tonë më të vështirë, trajneri Reja duhet të merrej edhe me kapriçot e Erosit, që vinte duke kërkuar garancinë e vendit titullari, pasi ishte lojtari i Rangersit.
Të paktën teorikisht, pasi në fushë është parë në raste të rralla. E teksa trajneri Reja flet për një diskutim të dytë që do të bëj me Grezdën për të ardhmen, ndoshta më e mira do të ishte një takim me Endri Çekiçin dhe Taulant Seferin. Të dy këta futbollistë e meritojnë ftesën e Shqipërisë dhe e presin me padurim që të japin kontributin e tyre edhe nga stoli. Fundja, përse të diskutojmë për shanse të dyta dhe të treta, kur kemi të tjerë afër nesh që nuk e kanë marrë ende shansin e parë. /Shqiperia.ch/