“Agolli është një çështje e mbyllur. Duke parë moshën e tij, nuk mund të na shërbej për eliminatoret e Europianit të ardhshëm”, do të thoshte Kristian Panuçi, duke i treguar derën mbrojtësit shqiptar.
Pas shumë provave të shkuara më kot, tekniku italian zgjodhi të rikthente sërish Agollin në Kombëtare. Kur Panuçi do të publikonte listën e lojtarëve të grumbulluar në Ligën e Kombeve, mbrojtja e krahut të majtë ishte një çështje e pazgjidhur. Llogaritë ishin të thjeshta, nëse Agolli nuk do të thirrej, atëherë polemikat dhe diskutimet do të rihapeshin në Shqipëri, sepse zëvendësuesi nuk ishte gjetur.
Panuçi zgjodhi një tjetër mënyrë, pa hequr dorë nga krenaria e tij, të grumbullonte Agollin te Shqipëria dhe më pas të mos e llogariste për asnjë moment si një futbollist titullar, fjala e tij do të dilte gjithsesi. Një situatë komike mund të quhej ajo e konferencave për shtyp, teksa tekniku italian mbante gjithmonë përkrah si kapiten, Ansi Agollin, ose siç ne e kemi quajtur ndryshe edhe “kapiteni i konferencave”.
Kjo sepse mbrojtësi nuk u aktivizua për asnjë minutë të vetme në dy ndeshjet e para të Ligës së Kombeve. Sigurisht që tifozët pajtohet me këtë vendim të trajnerit, për t’i dhënë besim Binakut në atë krahë, por pyetja që lind është: “Po Agolli përse u thirr?”. /Shqipëria.ch/